Policia kolumbiane ndërhyn në supermarket dhe liron rreth 20 pengje pas 17 orësh

Policia kolumbiane ndërhyn në supermarket dhe liron rreth 20 pengje pas 17 orësh

Policia kolumbiane ndërhyn në supermarket dhe liron rreth 20 pengje pas 17 orësh

Forcat e sigurisë në Kolumbi kanë liruar rreth 20 klientë dhe punonjës të një supermarketi në qytetin Cartagena, të cilët mbaheshin peng për rreth 17 orë nga persona të armatosur.

Sponsor 3M Express

Sulmuesit kishin hyrë në ndërtesë rreth orës 08:00 të së martës, pas një përpjekjeje të dështuar për të grabitur një automjet të blinduar që transportonte para dhe sende me vlerë, raportojnë mediat lokale.

Ata i kishin mbajtur personat brenda supermarketit nën kërcënimin e armëve, ndërsa përpiqeshin të negocionin një mënyrë për t’u larguar nga vendi i ngjarjes, transmeton Telegrafi.

Me rritjen e tensioneve gjatë ditës, presidenti kolumbian, Abelardo de la Espriella, autorizoi ndërhyrjen e forcave speciale dhe policisë për lirimin e pengjeve. Gjatë operacionit, njëri prej personave të armatosur u vra.

Banorët që jetonin pranë supermarketit raportuan se kishin dëgjuar shpërthime në momentin kur forcat e sigurisë hynë në ndërtesë. Policia konfirmoi më vonë se kishte përdorur granata trullosëse për t’i neutralizuar pengmarrësit.

Presidenti De la Espriella e cilësoi aksionin si “një operacion të jashtëzakonshëm të përbashkët”, i cili, sipas tij, ishte realizuar “pa asnjë të metë”. Ai kishte udhëtuar drejt qytetit verior për ta mbikëqyrur nga afër ndërhyrjen.

Në pamjet e publikuara pas operacionit, presidenti shihet duke komunikuar përmes një radiolidhjeje, ndërsa mban një pistoletë të vendosur në brez.

Pas lirimit të pengjeve, ai tha se personave të armatosur u ishte dhënë mundësia të dorëzoheshin, por ata e kishin refuzuar ofertën.

Më herët gjatë ditës, pengmarrësit kishin liruar 10 persona, mes tyre edhe disa gra të moshuara. Megjithatë, vazhdonin të mbanin rreth 20 të tjerë, ndërkohë që një helikopter policor qëndronte mbi ndërtesë dhe forcat speciale kishin krijuar një perimetër sigurie rreth saj.

Sipas mediave lokale, përveç kërkesës për t’u larguar të sigurt nga supermarketi, sulmuesit kishin kërkuar edhe afro dy milionë dollarë dhe automjete të blinduara.

Presidenti De la Espriella deklaroi se personat e armatosur nuk kishin lidhje me ndonjë organizatë politike, por kishin marrë peng njerëzit pasi plani i tyre për grabitjen e automjetit të blinduar kishte dështuar.

“Nuk bëhet fjalë për një grup terrorist që ka kryer rrëmbim. Jo, këta janë kriminelë që u zunë në befasi, mbetën pa rrugëdalje dhe më pas morën peng një grup njerëzish”, tha ai.

Fotografitë e publikuara nga operacioni i shpëtimit tregojnë ushtarë të armatosur brenda supermarketit, ndërsa disa prej personave të liruar shihen të gjunjëzuar, me duart e vendosura pas kokës. /Telegrafi/

Lexo edhe

Shtrenjtohen për 5,4 për qind produktet e importuara në Kosovë

Shtrenjtohen për 5,4 për qind produktet e importuara në Kosovë

“Nuk duhet të presim vrasjen e radhës”, protestuesit në Prishtinë kërkojnë njohjen e femicidit si vepër të veçantë penale

“Nuk duhet të presim vrasjen e radhës”, protestuesit në Prishtinë kërkojnë njohjen e femicidit si vepër të veçantë penale

Modriqi ia gjen Milanit pasardhësin e tij

Modriqi ia gjen Milanit pasardhësin e tij