Zv.kryeministri dhe ministri për Çështje Evropiane, Bekim Sali, e ka paraqitur pasurinë e tij në Komisionin Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit.

Ai paraqitur se posedon prona të paluajtshme në Shkup, biznese dhe të ardhura nga qiraja.
Sipas të dhënave të deklaruara, në emrin e tij figuron tokë bujqësore në Çair, me sipërfaqe prej 1.125 metrash katrorë, me vlerë prej 600 mijë denarësh. Në Matkë ka deklaruar edhe tokë bujqësore prej 6.254 metrash katrorë, të fituar me trashëgimi, ku figuron si pronar i 4/16 pjesëve.
Pasuri të konsiderueshme ka deklaruar edhe në Komunën Qendër të Shkupit. Bëhet fjalë për tri objekte afariste, me sipërfaqe prej 158, 300 dhe 82 metrash katrorë. Vlera e tyre e deklaruar është përkatësisht 11 milionë, 24.6 milionë dhe 7.38 milionë denarë. Të tria figurojnë në pronësi të tij të plotë.
Në deklaratë figurojnë edhe prona të familjarëve. Në emër të motrës është regjistruar një objekt afarist prej 84 metrash katrorë në Çair, me vlerë prej 10.3 milionë denarësh, ndërsa në emër të bashkëshortes tokë ndërtimore prej 662 metrash katrorësh në Vizbeg, me vlerë prej 1.5 milionë denarësh.
Sali ka deklaruar gjithashtu të ardhura vjetore prej 648 mijë denarësh nga dhënia e pronës me qira.
Sa u përket interesave afariste, në emrin e tij figurojnë PZU “Molar Dent” dhe PZU “Molar Implant”, ndërsa në emër të bashkëshortes janë deklaruar edhe dy kompani: “Anna Bora Atelier” dhe “Bleta-S”, të dyja me seli në Shkup./Telegrafi/




