Nga: Ana María Shua
Përktheu: Bajram Karabolli

Një burrë ëndërron se dashuron një grua. Gruaja ikën. Burri dërgon qentë e dëshirës së tij pas saj. Gruaja kalon një urë mbi një lumë, kalon një mur, pastaj ngjitet në majë të një mali. Qentë kapërcejnë lumin me not dhe, të lodhur, duke gulçuar, ndalojnë në rrëzë të malit …
Burri, në ëndrrën e tij, i tmerruar, e di se ata do ta arrijnë dhe se nuk do të shpëtojë dot prej tyre … Befas, zgjohet duke u hedhur përpjetë. Shikon gruan në krah të tij dhe zbulon, i zhgënjyer, se ajo është tashmë e tija.





