Deputetja në Kantonin e Bernës në Zvicër, Shasime Osmani, në një intervistë për Telegrafin ka folur për rëndësinë e bashkëpunimit ndërmjet Kosovës dhe Zvicrës, duke veçuar arsimin dual, barazinë gjinore dhe zhvillimin ekonomik si fusha ku të dyja vendet mund të shkëmbejnë përvoja.

Osmani ka treguar se gjatë vizitës së saj në Kosovë ka zhvilluar një takim me kryeministrin, ku ndër temat e diskutimit kanë qenë avancimi i arsimit dual dhe barazia gjinore, shkruan Telegrafi.
Ajo ka theksuar se Zvicra ka një sistem të zhvilluar të arsimit dual dhe se përvoja e këtij shteti mund të shërbejë për avancimin e këtij modeli edhe në Kosovë.
“Është shumë i rëndësishëm se Zvicra e ka sistem shumë të fortë në arsimin dual, për ta avancuar edhe atë në Kosovë”, ka deklaruar Osmani.
Një tjetër çështje për të cilën ka folur deputetja është zhvillimi ekonomik dhe krijimi i mundësive për investime në Kosovë. Sipas saj, forcimi i lidhjeve ekonomike do të ndihmonte në krijimin e vendeve të reja të punës dhe në përparimin e vendit.
Osmani ka theksuar se një nga motivet e saj në politikë është edhe angazhimi për barazinë gjinore dhe luftimin e dhunës ndaj grave.
“Që gratë të mos përjetojmë dhunë më dhe të vriten. Kjo është edhe një motiv i imi i dytë në politikë”, është shprehur ajo.
Duke folur për këtë çështje, Osmani ka theksuar se dhuna ndaj grave nuk është problem vetëm në Kosovë, por edhe në Zvicër, duke nënvizuar se asnjëri vend nuk është pa sfida në këtë drejtim.
Ajo ka vlerësuar se bashkëpunimi dhe shkëmbimi i përvojave mund të ndihmojnë në adresimin e problemeve të përbashkëta.
“Unë besoj se nëse forcohemi edhe lidhemi me njëri-tjetrin, mundemi të mësojmë nga njëri-tjetri”, ka thënë Osmani për Telegrafin.
Deputetja ka folur edhe për rëndësinë e rritjes së vetëbesimit te qytetarët e Kosovës dhe krijimit të shpresës për të ardhmen, duke theksuar se njerëzit duhet të shohin ndryshime konkrete në vendin e tyre.
Osmani ka bërë të ditur se tashmë ka marrë edhe nënshtetësinë e Kosovës, duke theksuar se kjo i mundëson të ketë edhe të drejta institucionale në vend.
Ajo ka shprehur gatishmërinë për të kontribuar në forcimin e bashkëpunimit jo vetëm ndërmjet Kosovës dhe Zvicrës, por edhe me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.
Sipas saj, bashkëpunimi mund të shtrihet në shumë fusha, nga ekonomia dhe investimet deri te barazia gjinore, me synimin që vendet të përkrahin dhe forcojnë njëra-tjetrën./Telegrafi/




