Këshilltari komunal nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës në Fushë Kosovë, Ali Topalli, ka konfirmuar për Gazetën Insajderi se drejtori i Arsimit në këtë komunë, Sabri Xhigoli, ka dhënë dorëheqje pas kërkesës publike të kryetarit Valon Prebeza.

Topalli ka bërë të ditur se për dorëheqjen e Xhigolit janë njoftuar zyrtarisht gjatë së premtes, duke e lidhur atë me kërkesën e Prebezës pas mungesës së një pjese të stafit të gjimnazit “Hivzi Sylejmani” në ceremoninë për nder të 28 Nëntorit.
“Sot zyrtarisht jemi informuar se z. Xhigoli ka dhënë dorëheqje nga pozita e tij si drejtor i Arsimit. Kjo ka ndodhur pas thirrjes së djeshme nga ana e kryetarit të komunës, i cili publikisht ia ka kërkuar dorëheqjen z. Xhigoli”, ka deklaruar Topalli për Insajderin.
Ai e ka cilësuar të paqëndrueshme arsyen për të cilën, sipas tij, Prebeza kërkoi masa ndaj drejtorit të Arsimit, duke theksuar se organizimi i aktiviteteve për festat zyrtare nuk është përgjegjësi e kësaj drejtorie.
“E vetmja arsye, sipas vlerësimit tonë, ka qenë mosorganizimi i mirë i festës së Flamurit. Dihet se organizator i këtyre aktiviteteve është Drejtoria për Kulturë, Rini dhe Sport dhe në këtë drejtim nuk ka të bëjë asgjë Drejtoria e Arsimit”, ka thënë ai.
Topalli ka kritikuar kërkesën e kryetarit ndaj Xhigolit, duke e cilësuar këtë të fundit si punëtor të dalluar dhe intelektual.
“Por ja që presioni dhe kërkesa direkte publike që është bërë nga ana e kryetarit të komunës bëri që z. Xhigoli, një punëtor i dalluar, një aktivist, por edhe një intelektual, sot të japë dorëheqje”, është shprehur Topalli.
Sipas tij, kjo është dorëheqja e dytë në Drejtorinë e Arsimit që ndodh pas kërkesave të kryetarit të komunës.
“Dhe kjo është dorëheqja e dytë në Drejtorinë e Arsimit me radhë që kryetari i komunës e ka bërë. Është një lloj degradimi i kësaj komune dhe i gjithë personelit arsimor”, ka deklaruar ai.
Asamblisti i LDK-së ka folur edhe për kërkesën që Prebeza ia kishte drejtuar drejtorit të Arsimit, për të shfrytëzuar kompetencat e tij dhe për të marrë masa ndaj drejtorit të gjimnazit “Hivzi Sylejmani”.
“Z. Prebeza i ka shkruar drejtorit të Arsimit që t’i shfrytëzojë kompetencat e tij dhe të marrë masa për drejtorin e shkollës, të gjimnazit, i cili ka qenë prezent në aktivitet. Unë nuk e di cila është arsyeja apo pse duhet shkolla të përfshihet në këto aktivitete”, ka thënë Topalli.
Ai ka dhënë edhe vlerësimin e tij për arsyen që, sipas tij, qëndron prapa kërkesës së kryetarit të komunës.
“Unë mendoj se kjo bëhet për shkak se z. Prebeza nuk ka pasur njerëz, persona që ta përcillnin fjalimin e tij dhe aktivitetin që është dashur ta mbante shkolla, e jo drejtoria përkatëse”, është shprehur Topalli.
Ai ka përsëritur se aktivitetet e tilla do të duhej të organizoheshin nga Drejtoria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit dhe jo nga Drejtoria e Arsimit.
Gazeta ka provuar të marrë një përgjigje edhe nga tashmë ish-drejtori i Arsimit, Sabri Xhigoli, por ai nuk i është përgjigjur telefonatës.
Burimi: Insajderi





