Gazeta Sinjali sjell detajet e aktgjykimit të plotë ndaj Sylejman Jusufit, i dënuar me katër vjet e gjashtë muaj burgim dhe 8 mijë euro gjobë për transportimin e 239.55 kilogramëve marihuanë nga Shqipëria në Kosovë, me destinacion shpërndarjen në tregun evropian.

Në aktgjykimin e përpiluar më 16 nëntor 2026, Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti Special, ka shpalosur rrethanat e kryerjes së veprës penale, arsyetimin e dënimit, konfiskimin e pasurisë dhe ndërprerjen e masës së paraburgimit.
Pranoi fajësinë dhe kërkoi falje
Jusufi, në seancën fillestare të mbajtur më 3 nëntor, kishte pranuar në tërësi fajësinë për veprën penale që i vihej në barrë.
Ai gjithashtu i kishte kërkuar falje përfaqësuesit të kompanisë, ngarkesën e së cilës po transportonte, duke deklaruar se kjo e fundit nuk kishte qenë në dijeni për aktivitetin e tij kriminal.
Sipas aktgjykimit, Jusufi kishte vepruar në bashkëkryerje me persona të tjerë, ndaj të cilëve vazhdojnë hetimet.
Pse gjykata shqiptoi katër vjet e gjashtë muaj burgim?
Ndonëse për veprën penale në fjalë parashihet dënim me gjobë dhe burgim nga dy deri në 12 vjet, gjykata ka vlerësuar një sërë rrethanash lehtësuese dhe rënduese.
Prokurorja speciale Habibe Salihi kishte kërkuar që sasia jashtëzakonisht e madhe e narkotikëve dhe rrezikshmëria e lartë shoqërore të vlerësoheshin si rrethana rënduese.
Gjykata, me gjyqtarin Rrahman Beqiri, si rrethana rënduese ka vlerësuar pjesëmarrjen e lartë të Jusufit në kryerjen e veprës penale, dashjen e drejtpërdrejtë dhe sasinë e madhe të narkotikëve.
Në anën tjetër, pranimi i fajësisë, pendimi, rrethanat ekonomike dhe familjare, mungesa e dëshmive për dënime të mëparshme dhe premtimi se nuk do ta përsërisë veprën janë vlerësuar si rrethana lehtësuese.
Iu ndërpre paraburgimi në ditën kur u shpall fajtor
Një tjetër detaj që rezulton nga aktgjykimi është se Jusufit i është ndërprerë masa e paraburgimit pikërisht në ditën e shpalljes së aktgjykimit dënues, më 3 nëntor 2026.
Ai kishte qëndruar në paraburgim për më shumë se një vit, që nga 29 tetori 2025.
Kjo periudhë do t’i llogaritet në dënimin e shqiptuar, ndërsa ekzekutimi i dënimit me burgim është paraparë në afat prej 15 ditësh nga plotfuqishmëria e aktgjykimit.
Arsyet e ndërprerjes së paraburgimit, sipas gjykatës, janë dhënë në një aktvendim të veçantë.
Kamioni dhe telefonat do të shiten, droga do të shkatërrohet
Gjykata ka urdhëruar konfiskimin e kamionit Mercedes, gjysmërimorkios, dy telefonave mobilë, kartelës telefonike dhe 239.55 kilogramëve marihuanë.
Pas plotfuqishmërisë së aktgjykimit, kamioni, rimorkioja dhe telefonat do të shiten, ndërsa paratë do të derdhen në buxhetin përkatës.
Gjithashtu, Policia e Kosovës është urdhëruar që narkotikët t’i shkatërrojë sipas procedurave në fuqi.
Ndërkaq, gjykata ka urdhëruar kthimin e 12 tubave të armaturës te pala e tretë, pasi nuk është provuar se kjo palë kishte qenë në dijeni për aktivitetin kriminal të Jusufit.
Procedura ndaj të akuzuarit tjetër vazhdon
Pas pranimit të fajësisë nga Jusufi, gjykata ka veçuar procedurën penale, ndërsa gjykimi ndaj të akuzuarit tjetër, me inicialet B.K., do të vazhdojë ndaras.
Kundër aktgjykimit, palët kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit brenda 30 ditëve nga pranimi i tij.
Shënim: Aktgjykimi është i shkallës së parë. Personat ndaj të cilëve vazhdojnë procedurat penale prezumohen të pafajshëm deri në një vendim të formës së prerë.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
Burimi: Sinjali





