Gjykata Themelore në Gjilan ia ka caktuar një muaj paraburgim të dyshuarit B.D., i cili dyshohet për vrasje të rëndë dhe mbajtje të paautorizuar të armëve.
Sipas njoftimit të Gjykatës, kërkesa e Prokurorisë Themelore në Gjilan është aprovuar të hënën, më 2 nëntor.

Në kërkesën për caktimin e paraburgimit, Prokuroria ka pretenduar se ngjarja ka ndodhur më 1 nëntor 2026, në shtëpinë e të dyshuarit në fshatin Demiraj të Gjilanit.
Sipas dyshimeve të paraqitura në kërkesë, B.D., pas një konflikti fizik me djalin e tij, A.D., e ka privuar atë nga jeta. Ndërkaq, edhe vajza e tij, foshnjë, D.D., ishte gjetur e pajetë dhe me shenja dhune në shtratin e babait të saj.
“Gjykata Themelore në Gjilan ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore të Gjilanit, duke i caktuar masën e paraburgimit prej 1 (një) muaji të pandehurit B. D. i cili dyshohet për kryerjen e veprës penale vrasje e rëndë dhe mbajtja në pronësi të armës. Në kërkesën e prokurorisë për caktim të masës së paraburgimit është pretenduar se i pandehuri B. D. me datë 1 nëntor 2026, në periudhën kohore pas orës 00:27 e deri në orët e mëngjesit, në shtëpinë e tij në fshatin Demiraj, Komuna e Gjilanit, pas një konflikti fizik me djalin e tij e privon nga jeta A. D., ndërsa më parë edhe fëmija D. D., është gjetur e pa jetë dhe me shenja dhune në shtratin e babait të saj, tani të ndjerit A. D., ku janë vërejtur edhe njolla gjaku, krejt këto të shkaktuara me dyshimin nga babai i saj tani i ndjeri A., ashtu që nga veprimet e të njëjtëve janë privuar nga jeta dy anëtar të familjes së tyre.
Më këto veprime i pandehuri B. D. dyshohet të ketë kryer veprat penale vrasje e rëndë dhe mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve, vepra të sanksionuara me Kodin Penal të Republikës së Kosovës (KPRK). Gjyqtari i procedurës paraprake ka vlerësuar se qëndrojnë arsyet ligjore për caktimin e paraburgimit ndaj të pandehurit, se po të lihej i lirë, i pandehuri, me qëllim të koordinimit dhe minimizimit pasojave për veprimet e ndërmarra, do të mund të ndikojë në dëshmitarët e tjerë. Palët kanë të drejtën e ankesës ndaj këtij vendimi në Gjykatën e Apelit të Kosovës”, thuhet në njoftim.
Burimi: Dukagjini




