Sipas njoftimit të Gjykatës, vendimi është marrë pas aprovimit të kërkesës së Prokurorisë Themelore në Gjilan.
“Në kërkesën e prokurorisë për caktim të masës së paraburgimit është pretenduar se i pandehuri B. D., më datë 1 nëntor 2026, në periudhën kohore pas orës 00:27 e deri në orët e mëngjesit, në shtëpinë e tij në fshatin Demiraj, Komuna e Gjilanit, pas një konflikti fizik me djalin e tij, e privon nga jeta A. D.”, thuhet në njoftim.

Gjykata ka bërë të ditur se më herët ishte gjetur e pajetë edhe fëmija D. D., me shenja dhune, në shtratin e babait të saj, A. D.
“Ndërsa më parë edhe fëmija D. D. është gjetur e pajetë dhe me shenja dhune në shtratin e babait të saj, tani të ndjerit A. D., ku janë vërejtur edhe njolla gjaku, krejt këto të shkaktuara me dyshimin nga babai i saj, tani i ndjeri A.”, thuhet në njoftimin e Gjykatës.
Sipas Gjykatës, B. D. dyshohet për veprat penale “Vrasje e rëndë” dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.
Gjyqtari i procedurës paraprake ka vlerësuar se ekzistojnë arsyet ligjore për caktimin e paraburgimit, pasi i pandehuri, nëse lihet i lirë, mund të ndikojë te dëshmitarët e tjerë.
Palët kanë të drejtë ankese ndaj këtij vendimi në Gjykatën e Apelit të Kosovës.
Burimi: RTKLive




