Një letër tjetër e shkruar nga Arlinda Zekaj, drejtuar gjyqtarit Migjen Kastrati është publikuar.
Më 7 shtator të këtij viti, e ndjera i kishte shkruar për të caktuar urdhërin mbrojtës dhe caktimin e kujdestarisë për fëmijën.

“Shkruaj si një grua që tani po e ndjen rrezikun për jetën e vet, ashtu edhe për jetën e fëmiut që nuk e di ku e kam. Lutem shumë, gjejë pak minuta nga koha e juaj e ngarkuar, për të caktuar urdhrin mbrojtës dhe caktimin e fëmijës në kujdestarinë e në shtëpinë ku kam dhënë gjithçka që kam pas. Për ju është rutinë, për mua është jetë dhe veç Zoti e di pse ty të ka zgjedhë të shpëtosh jetë”.
Gjyqtari Kastrati 10 ditë pas kësaj letre, caktoi urdhërin mbrojtës, me të cilin kishte vendosur që edhe e ndjera të jetonte në atë shtëpi me ish-burrin, dhe ai po brenda shtëpisë së njëjtë, kishte obligim të mos i ofrohej asaj në 2 metra.
E pikërisht shkelja e këtij urdhëri mbrojtës nga ana e ish bashkëshortit të saj, çoi në vrasjen e Arlindës.
Të dielën e kaluar, vetëm pak orë para se të vritej, në orën 19:00 në Stacionin Policor në Pejë, viktima kishte njoftuar për dhunë në familje, ku ishte arrestuar e ndaluar bashkëshorti i saj.
Policia e kishte çuar deri në oborr, por nuk kishte marr asnjë masë tjetër për ta larguar nga shtëpia tanimë dorasin, Albert Sylaj, i cili e vrau të njëjtën me sopatë.
I njëjti tashmë është nën masën e paraburgim, sikurse vëllau i tij.
Vrasja e saj ka nxitur reagime të shumta, protesta dhe masa në institucione. Në mesin e zhvillimeve pas rastit është edhe dorëheqja e drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, si dhe suspendime të prokurorëve e policëve.
Pas vrasjes, IPK-ja njoftoi se nisi hetimet për të gjitha raportimet e mëparshme të Zekajt dhe për mënyrën se si Policia i kishte trajtuar ato, meqë u publikua edhe biseda mes të ndjerës dhe togerit tashmë të suspenduar Faruk Muqolli.
Më 29 tetor, Policia suspendoi 11 zyrtarë policorë, përfshirë drejtues të strukturave rajonale dhe të stacionit policor në Pejë.
Po atë ditë, Këshilli Prokurorial suspendoi kryeprokuroren e Pejës, Lumturije Vuçetaj, dhe prokuroren e rastit, Arlinda Nallbani-Gacaferri, duke hapur procedura disiplinore dhe duke themeluar një panel hetimor.
Pas vrasjes brenda një afati prej 72 orësh, u hartua nga një raport nga Ministria e Drejtësisë e ajo e punëve të brendshme, por që nuk përmbante dicka më shumë sesa ajo që u raportua përgjatë 1 jave në media.
Arlinda la pas vetes një djalë, që tashmë është duar të shtetit, e shumë dëshmi të shkruara me dorë të vetë, ku kishte kërkuar ndihmë nga të gjitha institucionet e sigurisë e drejtësisë, meqë e kishte para syve rrezikun në të cilin ishte jeta e saj./TVDUKAGJINI
Burimi: Dukagjini




