Zinedine Zidane ka bërë një zgjedhje të veçantë në listën e Kombëtares së Francës, duke e ftuar për herë të parë mbrojtësin 21-vjeçar Saël Kumbedi, i cili aktualisht luan për Wolfsburgun në kategorinë e dytë të futbollit gjerman.

Kumbedi është ftuar për ndeshjet e Ligës së Kombeve kundër Italisë dhe Turqisë, pasi Pierre Kalulu i Juventusit u detyrua të largohej nga grumbullimi për shkak të një lëndimi.
Kjo thirrje është historike, pasi Franca nuk kishte ftuar një futbollist që aktivizohej në kategorinë e dytë të një kampionati që nga shkurti i vitit 2007.
E mësoi lajmin teksa priste taksinë
Mënyra se si Kumbedi e mori vesh lajmin ishte po aq e veçantë sa vetë ftesa. Mbrojtësi ishte në shtëpi dhe po përgatitej t’i bashkohej Francës U-21, kur mori telefonatën që ia ndryshoi planet. Në vend të ekipit të të rinjve, ai u ftua në Kombëtaren A, ku do të ketë mundësinë të ndajë dhomën e zhveshjes me yje si Kylian Mbappé dhe Michael Olise.
“Po përgatitesha të shkoja te ekipi i të rinjve. Isha në shtëpi, duke pritur një taksi, kur më ra telefoni. Më thanë se do të isha me ekipin e parë. Isha shumë i lumtur”, ka treguar Kumbedi.
Ai ka zbuluar gjithashtu se e kishte takuar më parë Zidanen, pasi kishte luajtur me djalin e tij, Elyazin.
“E kam takuar më parë, sepse kam luajtur me djalin e tij. Ai vinte dhe na jepte këshilla. Por tani të stërvitesh nën drejtimin e tij është diçka e veçantë. Nuk e prisja që ftesa të vinte kaq shpejt, por gjithmonë jam përgatitur për këtë moment. Është një ëndërr e bërë realitet, por jo qëllimi përfundimtar. Duhet të vazhdoj të punoj dhe të qëndroj me këmbë në tokë”, ka deklaruar mbrojtësi.
Një rast i ngjashëm nuk ishte parë që nga viti 2007
Ftesa e Kumbedit ka marrë vëmendje të veçantë në Francë, pasi hera e fundit që një futbollist nga kategoria e dytë e një kampionati ishte përfshirë në listën e Kombëtares franceze ishte në shkurt të vitit 2007.
Në atë kohë, trajneri Raymond Domenech kishte ftuar David Trezeguet dhe Jean-Alain Boumsong, të cilët aktivizoheshin me Juventusin në Serie B. Gjiganti italian ishte dënuar me zbritje në kategorinë e dytë pas skandalit “Calciopoli”.
Ndryshe nga ajo kohë, Kumbedi është një futbollist i ri që po kërkon të bëjë hapin e madh në karrierë.
Sipas raportimeve të mediave franceze, mungesa e alternativave në krahun e djathtë të mbrojtjes ka ndikuar në vendimin e Zidanes, i cili ka treguar se dëshiron t’u japë mundësi edhe futbollistëve të rinj.
Kush është Saël Kumbedi?
I lindur më 26 mars 2005 në Stains të Francës, Kumbedi ka kaluar nëpër akademitë e Paris Saint-Germainit dhe Le Havres, përpara se të transferohej te Lyoni në vitin 2022.
Në verën e vitit 2025 ai iu bashkua Wolfsburgut fillimisht në formë huazimi, ndërsa klubi gjerman më vonë e bëri transferimin e tij të përhershëm. Kontrata e tij me Wolfsburgun është e vlefshme deri në qershor të vitit 2029.
Pavarësisht moshës së re, Kumbedi ka lënë gjurmë edhe në nivelin ndërkombëtar. Ai ishte njëri prej protagonistëve kryesorë të Francës në Kampionatin Evropian U-17 të vitit 2022. Në finalen ndaj Holandës shënoi të dy golat në fitoren 2-1, duke i dhuruar Francës trofeun kontinental.
Tani mbrojtësi ka mundësinë të bëjë debutimin me ekipin e parë të Francës. “Gjelat” do të përballen me Italinë në Milano më 12 nëntor, ndërsa më 15 nëntor do të presin Turqinë në Bordeaux. Franca kryeson grupin e saj në Ligën e Kombeve me dhjetë pikë pas katër ndeshjeve. /Telegrafi/




