Një vjedhje e ndodhur në qendër të Prizrenit kishte bërë që Jetmir Sahiti padrejtësisht të përfundonte në pranga.

Më 4 maj të vitit 2017, Sahiti ishte arrestuar me dyshimet se kishte kryer vjedhje të rëndë.
Bazuar në aktvendimin për fillimin e hetimeve të marrë nga Prokuroria Themelore e Prizrenit, ai dyshohej aso kohe se bashkë me tre person tjetër kishin hyrë me forcë në një banesë private dhe kishin vjedhur 20 mijë euro para të gatshme dhe stoli ari në vlerë 15 mijë euro.
“Vjedhja ka ndodh në rrugën Adem Jashari, te komuna e Prizrenit në një banesë në katin e 2-të. Më kanë thanë je i dyshum përmes tatujës po bazohemi që je ti. Më kanë marrë mu edhe 3 të tjerë. Përmes njani që u kanë në vepër me neve, ai ka thanë a o Jetmiri, po Jetmiri oshte, ani hajde edhe ti në vepër se te kokshe me Jetmirin”.
Mirëpo në kohën kur kishte ndodhur vjedhja, ai kishte treguar alibin e tij, provat e së cilës më pas thotë se e liruan nga hetimi.
“Unë kur kom mendu mirë kur jom kanë, i kom thanë jom kanë në internet Game Zone. Masi më kanë qu në burg kanë ardh hetuesia në paraburgim në Pejë më kanë thanë a e je kanë sigurt në Game Zone, ju kom thanë po. Tani e kanë marrë faktin që unë jom kanë në Game Zone. Më kanë qit në prokuroi, edhe ajo avokatja më ka thanë mos e prano nëse se ke ba, se nuk mujnë me të thanë e ke ba. Unë e kom pranu thash në Polici se më kanë rre, në Prokurori nuk e pranoj. Se nuk e kom bo, me bo veprën, atë ditë kur më kanë arrestu më kanë arrestu me 30 cent në xhep, as 10 cent ma tepër hic. I kanë lyp teshat që jon përdorë në vjedhje i kanë lyp senet. Përmes fotos që kom dalë unë në facebook me një foto, jon bazu që unë kom kalu kalimtar i vjedhjes. Unë nuk e kom bo atë vepër”.
Megjithatë, me qëllim të zhvillimit të hetimeve dhe sigurimit të tij si palë në procedurë, ndaj tij Gjykata Themelore në Prizren kishte caktuar masën e paraburgimit.
Në paraburgim ai rezulton të ketë qëndruar për 70 ditë, nga 4 maj deri më 12 korrik 2017.
“Qat fazë jom kanë tu u bo babë, unë grun tem nuk kom mujt me prit kënaqësinë e saj. Shumë keq, shumë keq, me pare borxh tu marrë më kanë nejt gati. Edhe plus hala borxhet si kom la që kanë ardh me me pa mu në burg të Pejës. Se s’kena pas as kerr as prap nuk kem, as kushtet nuk i kena pas, me autobus kanë ardh një herë 2 javë 3 javë qysh kanë mujt”.
Mirëpo një vit pas, më 30 maj 2018, ndaj tij ishin pushuar hetimet në mungesë provash.
Por, mbyllja e këtij hetimi hapi një fazë tjerë të sfidës për të.
Sahiti thotë se pasi ndaj tij ishin mbyllur hetimet, kishte kuptuar se kishte të drejtën e kompensimit për kohën e kaluar në paraburgim, meqë ndaj tij Prokuroria e Shtetit nuk kishte arritur të provonte se kishte kryer veprën penale për të cilën edhe i ishte caktuar masa e paraburgimit.
Për këtë, më 14 korrik 2020, kishte autorizuar avokatin Blend Gjini për të bërë kërkesë në Këshillin Gjyqësor të Kosovës që të kompensohej për kohën e kaluar në paraburgim.
Ai thotë se e pagoi avokatin Gjini me 150 euro cash.
“Sahiti: Përmes atyne djemve që jena kanë të hetum në vepër bashkë, ata më kanë thanë e kena bo autorizimin për me i marrë paret. Edhe unë përmes atyne kom shku e kom bo autorizimin, kom mendu që e marrë parën tem. Nuk e kom marrë.
Gazetarja: Për çka u ke jep avokatëve Gjini autorizimin?
Sahiti: Për me mi nxjerr prej parët e mija, më thojshin kena me ti nxjerr krejt komplet edhe udhën që e keni pagu për me ardh se jeni kanë larg në paraburgim. Krejt shpenzimet çka kanë ndodh për juve, krejt shpenzimet kanë me ti jep paret. Unë e pyta sa pare më takojnë mu me i marrë. Më thojke nuk e di sa paguhet dita e burgut, a 15 a 20 a 25, po mbi 3 mijë euro të takojnë me i marrë se edhe udhën që e keni ba të familjes krejt shpenzimet kemi me i nxjerr”.
Bazuar në autorizimin e siguruar, Sahiti rezulton t’i ketë dhënë të drejtat e përfaqësimit avokatit Gjini në të gjitha proceset juridike penale dhe civile.
Ndërsa, autorizimin veçon dhe pjesën e së drejtës për të bërë pagesa dhe pranuar mjete në emër të klientit.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
Burimi: Sinjali




