Veprimtari shqiptaro-amerikan, Haki Dervishi, ka kërkuar drejtësi dhe zbardhjen e dy rasteve të vdekjeve të dyshimta që kanë ndodhur në Gjakovë gjatë vitit 2022.

Në një konferencë të jashtëzakonshme për media të mbajtur në Prishtinë, Dervishi ka folur për vdekjen e dyshimtë të vëllait të tij, Hysen Dervishi, por edhe për një rast tjetër të një gruaje, për të cilën dyshon se mund të ketë lidhje me rrethanat e vdekjes së vëllait të tij.
Ai ka thënë se interesimi i tij për rastin e gruas është shtuar pasi ka zbuluar një varr pa shenja identifikuese, pranë shtëpisë së tij.
“Hasa një varr, afër shtëpisë time i bërë rrafsh me tokën, pa kurrfarë shenje të varrit, pos një druri vertikal. Jam interesuar se çfarë është ai rast. Më kanë thënë se një grua e ka varur veten, sepse ka bërë ‘imoralitet’. Por kjo nuk ka qenë e vërtetë. Jam i interesuar më shumë tash për atë grua sesa për vëllanë, sepse për vëllanë avokatja dhe i dërguari nga Kongresi amerikan e kryejnë punën”, ka deklaruar Dervishi.
Ai ka thënë se për gruan në fjalë ka ndërtuar vetë një varr, duke shprehur dyshime për mënyrën se si është trajtuar dhe raportuar rasti i vdekjes së saj.
“Për vëllanë tim gjërat nuk janë më të fshehta. Por për atë grua pa varr jam i interesuar. Për atë grua, që ia kam ndërtuar unë varrin dhe i kam treguar se gjërat nuk janë siç janë thënë. E gjithë zona e di aty se çfarë është bërë. Më shumë jam i interesuar të vërtetoj çështjen e asaj gruaje, të cilën nuk e njoh, as vëllai im nuk e ka njohur”, ka thënë ai.
Dervishi ka theksuar se beson që zbardhja e së vërtetës do t’i ndihmonte edhe personat e tjerë që mund të kenë informacione, por që hezitojnë të flasin nga frika.
“Unë mendoj se e vërteta do të na lirojë edhe neve, edhe të tjerët që ndoshta e dinë të vërtetën, por kanë frikë të flasin”, është shprehur ai.
Gjatë konferencës, Dervishi i është kthyer edhe rastit të vdekjes së vëllait të tij, duke pretenduar se policia ka manipuluar provat dhe ka fshehur të vërtetën për rrethanat e vdekjes.
“Është shumë tronditëse. I kam fotografitë e vëllait se si policia ka fshehur të vërtetën. Kanë deklaruar se dy makina e kanë shkelur sipër, por ai nuk ka asnjë shenjë se i ka kaluar makina mbi trup. Pas shumë kohe, kur kam ardhur në shtëpi, e kam parë biçikletën që pretendohet se është aksidentuar. Kam pyetur kush e ka sjellë biçikletën në shtëpi dhe nuk kam marrë përgjigje. Më vonë kam mësuar se biçikletën në shtëpi e ka sjellë një polic”, ka shtuar ai.
Sipas Dervishit, një tjetër element që ka ngritur dyshime tek ai është gjendja e biçikletës së vëllait, e cila, sipas tij, nuk kishte dëmtime, ndonëse pretendohej se Hysen Dervishi ishte aksidentuar teksa po lëvizte me të.
Ai ka shprehur habinë se si është pretenduar se vëllai i tij ishte aksidentuar, kur biçikleta kishte mbetur, sipas tij, e padëmtuar./Telegrafi/





