Dokumentari “Pinocchio’s Harvard”, me regji të Valmir Tertinit, ka pasur premierën e parë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në një ngjarje të organizuar të dielën në Boylston Hall, në kompleksin universitar të Harvardit, në Cambridge të Massachusettsit.

Shfaqja e mbajtur më 15 nëntor ka mbledhur figura nga bota e filmit dhe politikës, të ftuar specialë dhe adhurues të kinemasë, ndërsa mbrëmja është prezantuar nga Nicole Lee, prezantuese dhe pjesë e kastit të dokumentarit.
Ky prezantim shënon shfaqjen e parë të filmit në SHBA, pas suksesit të tij në edicionin e 83-të të Festivalit të Filmit në Venecia, ku u shpërblye me çmim në festivalin e zhvilluar në Corte Vittorio Veneto.
Momenti më i veçantë i mbrëmjes ishte vlerësimi që regjisori Valmir Tertini mori nga kongresistja amerikane Ayanna Pressley, përfaqësuese e Distriktit të 7-të të Massachusettsit.
Në emër të saj, Mateo Roll Garza i dorëzoi Tertinit një certifikatë mirënjohjeje (Certificate of Recognition), për kontributin e tij në filmin e pavarur dhe në jetën kulturore të Bostonit.
Në certifikatë vlerësohet gjithashtu angazhimi i regjisorit për ta shfrytëzuar kinemanë si një mjet për shkëmbim kulturor dhe për afrimin e komuniteteve përmes artit filmik.
Ky nderim u prit me duartrokitje të gjata nga të pranishmit në sallën e Boylston Hall.
Dokumentari “Pinocchio’s Harvard” sjell në fokus historinë e Pinocchio’s, një vend me rëndësi në jetën e komunitetit të Harvardit, i cili shërbeu edhe si frymëzim për realizimin e filmit.
Pas përfundimit të projeksionit, të ftuarit patën mundësinë të shijonin pica nga vetë Pinocchio’s, duke e përmbyllur mbrëmjen në frymën e historisë që dokumentari synon të rrëfejë.





