Përballja e shumëpritur do të zhvillohet në Dyseldorf të Gjermanisë, ku pritet të jenë të pranishëm rreth 45 mijë shikues. Hysa do të kërkojë të mposhtë boksierin që përfaqëson Gjermaninë, në një sfidë që mund t’i hapë rrugën drejt përballjeve edhe më të mëdha në karrierën e tij.
Shkodrani 42-vjeçar hyn në këtë duel me një rekord të pamposhtur prej 25 fitoresh në po aq meçe në boksin profesionist. Prej tyre, 23 i ka realizuar me nokaut.

Në anën tjetër, Kabayel, 34 vjeç, ka regjistruar 27 fitore në 27 përballje profesioniste, 19 prej tyre me nokaut.
Hysa është shprehur optimist për triumfin, duke theksuar se ka përgatitur një strategji të veçantë për këtë përballje.
“Nokauti ka qenë i pranishëm që nga dita e parë kur nisa me boks. Në meçin ndaj Kabayelit jam përgatitur për të bërë raunde të mira sepse e di që kundërshtari është boksier i mirë, boksier i fortë dhe boksier serioz. Por, ne jemi duke planifikuar ta bëjmë më të mirën. E kemi strategjinë tonë për ta fituar meçin dhe mendoj se do të fitojmë më herët sesa raundi i 12-të. Duhet që ta rris përqindjen e nokauteve”, ka deklaruar Hysa.
Hysa ka përcjellë edhe një mesazh emocional në rrjetet sociale, duke e lidhur këtë sfidë me krenarinë kombëtare.
“Luftëtar me zemër, shqiptar me gjak. E mbaj krenarinë e Shqipërisë, fuqinë dhe shpirtin e një shteti që nuk dorëzohet kurrë”, ka shkruar ai në llogarinë e tij në Facebook.
Përveç duelit kryesor Hysa – Kabayel, në programin e së shtunës në Dyseldorf do të jenë edhe dy boksierë të tjerë shqiptarë.
Granit Shala do të përballet me islandezin Kolbeinn Kristinsson, ndërsa Arbnor Jashari do të boksojë kundër venezuelianit Yoel Rivas Perez.
Burimi: RTKLive





