Bakteri Listeria monocytogenes është zbuluar në disa produkte të mishit të pulës që shiten në rrjetin e supermarketeve Aldi në Zvicër. Zyra Federale për Sigurinë Ushqimore dhe Çështjet Veterinare (FSVO) ka lëshuar një paralajmërim për konsumatorët, duke rekomanduar që produktet e prekura të mos konsumohen, pasi rreziku për shëndetin nuk mund të përjashtohet.

Paralajmërimi publik bëhet fjalë për mini-filetot e gjoksit të pulës, në paketime prej 150 gramësh, të gamave Mini-Classic, Mini-Curry dhe Mini-Paprika. Produktet e prekura kanë datat minimale të qëndrueshmërisë 14, 17, 20, 24 dhe 30 nëntor 2026, raporton 24 heures.
Pas zbulimit të bakterit, Aldi ka urdhëruar tërheqjen e produkteve nga tregu dhe i ka larguar menjëherë nga raftet. Sipas FSVO-së, këto produkte ishin në shitje në të gjitha dyqanet e Aldi-t në Zvicër, transmeton Telegrafi.
FSVO këshillon konsultim me mjekun në rast dyshimesh
Bakteri Listeria monocytogenes zakonisht nuk paraqet simptoma ose shkakton shqetësime të lehta te personat me sistem imunitar të shëndetshëm. Megjithatë, ai mund të përbëjë rrezik serioz për të moshuarit, personat me imunitet të dobësuar, të porsalindurit dhe fëmijët e vegjël, te të cilët mund të shkaktojë simptoma të rënda, madje edhe fatale.
Rrezik të lartë paraqet edhe për gratë shtatzëna, pasi listerioza mund të shkaktojë abort ose të transmetojë septicemi apo meningjit te foshnja gjatë lindjes.
FSVO këshillon personat që kanë konsumuar produktet e tërhequra dhe kanë ndonjë dyshim që të konsultohen me një mjek./Telegrafi/





