Drejtori i Shëndetësisë në Komunën e Klinës, Agron Bacaj, ka mohuar se autoambulanca që transportoi 43-vjeçaren Albona Morina drejt Spitalit Rajonal të Pejës kishte probleme me sinjalizimin emergjent. Pas raportimit të Gazetës Sinjali se automjeti nuk kishte sirenë dhe drita emergjente, Bacaj ka deklaruar se autoambulancat kanë qenë të pajisura me të gjitha mjetet e nevojshme.

Sipas tij, arsyeja e kërkimit të asistencës policore ka qenë gjendja e rëndë e pacientes dhe synimi që ajo të dërgohej sa më shpejt në spital, për shkak të punimeve në rrugët e Klinës, kolonave të krijuara dhe motit me shi.
“QKMF-ja ka pasë posedim autoambulanca, bile njëra është e re, sapo është futur në përdorim. Arsyeja pse stafi e ka bërë thirrjen në Polici është se rasti ka qenë urgjent dhe ka pasur punime në rrugët e Klinës. Për këtë arsye e kanë marrë përcjelljen e Policisë, pasi autoambulancat janë të pajisura me të gjitha ato që janë adekuate dhe që duhet t’i posedojnë”, ka deklaruar Bacaj për Sinjalin.
Ai ka theksuar se automjetet kanë qenë të pajisura edhe me goma të dimrit dhe se kërkesa për përcjellje policore është bërë për të shmangur vonesat e mundshme në trafik.
“Autoambulancat kanë qenë të pajisura me goma të dimrit, me sinjalizim, komplet. Arsyeja që stafi ka thirrur përcjellje të Policisë nuk është humbje e sinjalizimit dhe as pasojë e ndonjë defekti të mundshëm në autoambulancë, por për ta përcjellë më shpejt rastin. Mënyra më e shpejtë për ta dërguar në Pejë ka qenë Policia”, ka thënë ai.
Drejtori i Shëndetësisë ka shtuar se, meqë rasti është nën hetim, nuk dëshiron të japë informacione të tjera deri në përfundimin e procedurave nga institucionet përgjegjëse.
“Përderisa rasti është nën hetim, informacione shtesë nuk kisha dashur të jap pa dalë institucionet që merren me këtë punë. Janë duke u kryer procedurat, sepse është vdekje e dyshimtë”, ka deklaruar Bacaj.
Ndryshe, siç raportoi më herët Gazeta Sinjali, 43-vjeçarja Albona Morina kishte kërkuar ndihmë mjekësore në QKMF-në e Klinës të premten, më 13 nëntor. Pasi gjendja e saj ishte përkeqësuar, personeli mjekësor kishte vendosur ta transportonte drejt Spitalit Rajonal të Pejës, ndërsa për këtë kishte kërkuar asistencën e Policisë.
Pas mbërritjes në spital, mjeku kujdestar kishte konstatuar vdekjen e saj. Me urdhër të Prokurorisë së Shtetit, trupi i pajetë është dërguar për obduksion, ndërsa rasti është iniciuar si “Hetim i vdekjes”.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
Burimi: Sinjali





