Rreth 130 persona që ndodheshin në një anije turistike të ankoruar në New Orleans janë shpëtuar, pasi ajo u godit nga një anije cisternë.

Anija turistike, “American Heritage”, përfundoi e anuar në njërën anë në lumin Mississippi, pasi u godit nga anija e ngarkesave “Atlantic Asphalt”.
Si pasojë e përplasjes, 32 persona nga anija e goditur përfunduan në spital me lëndime që nuk janë kërcënuese për jetën, por nuk ka asnjë person të zhdukur.
Zyrtarët e cilësuan ngjarjen si një “mrekulli në Mississippi”.
Shkaku i saktë i përplasjes mbetet ende nën hetim, por kapitenia e Rojës Bregdetare të SHBA-së, Melanie Burnham, deklaroi: “Duket se ka pasur një lloj humbjeje të kontrollit të drejtimit të anijes”.
Ndërsa kryetarja e Bashkisë së New Orleans, Helena Moreno, u shpreh në një konferencë për shtyp se merita për operacionin e shpëtimit u takon ekipeve të ndërhyrjes së shpejtë, të cilët “u hodhën menjëherë në veprim për të ndihmuar”.
“Nuk kemi asnjë person të zhdukur; kjo është vërtet një mrekulli në Mississippi”, tha Moreno.
Njoftimet për përplasjen mbërritën rreth orës 13:30 EST të së premtes, kur njerëzit nisën të ndihmonin pasagjerët të largoheshin nga anija, e cila kishte filluar të mbushej me ujë, bëri të ditur në konferencën për shtyp Melanie Montroll, drejtuese në Portin e New Orleans.
Sipas autoriteteve të Portit, në momentin e përplasjes, në bordin e “American Heritage” ndodheshin rreth 129 pasagjerë, përveç anëtarëve të ekuipazhit.
Ekuipazhet e anijeve rimorkiatorë, policia dhe shpëtimtarë të tjerë nxituan për të ofruar ndihmë, ndërsa autoritetet e mbyllën lundrimin në lumin Mississippi për të mundësuar operacionin e kërkim-shpëtimit.
Anija “American Heritage” po përmbyllte një udhëtim tetëditor drejt destinacioneve përgjatë lumit Mississipi, në shtetet Luiziana dhe Mississippi.
Presidenti Donald Trump shkroi në platformën “Truth Social” se operacioni i shpëtimit ishte një “punë e jashtëzakonshme”.
Sekretari për Sigurinë e Brendshme, Markwayne Mullin, deklaroi se edhe Roja Bregdetare e SHBA-së ofroi mbështetje për operacionet lokale të shpëtimit.
Guvernatori Jeff Landry e cilësoi gjithashtu shpëtimin si një “mrekulli në Mississippi”, duke pasur parasysh “numrin e madh të njerëzve që ndodheshin në atë anije” dhe që arritën të shpëtoheshin. /Telegrafi/





