Ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Mimoza Kusari-Lila, ka pritur në takim drejtoreshën ekzekutive të CDF-së, Nermin Mahmuti, dhe zyrtaren e Financave, Sara Habipaj Polloshka.

Gjatë takimit është diskutuar për mundësitë e bashkëpunimit dhe mbështetjen e bizneseve vendore në faza të ndryshme të zhvillimit të tyre.
Përmes një postimi në Facebook, Kusari-Lila ka theksuar rëndësinë e partneriteteve me organizatat që kanë përvojë në mbështetjen e bizneseve, nga faza e ideimit deri te zgjerimi i veprimtarisë.
Ajo ka bërë të ditur se CDF ka përvojë në mbështetjen e bizneseve që nga fazat fillestare, si dhe të organizatave që angazhohen për mbrojtjen e mjedisit dhe avancimin e politikave të gjelbra.
Sipas saj, kjo përvojë përputhet me prioritetet e Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë, e cila përmes programeve të granteve po mbështet bizneset që investojnë në inovacion, ekonomi qarkore dhe praktika të qëndrueshme.
“Përmes këtij bashkëpunimi synojmë të ndërthurim përvojën dhe kapacitetet për të krijuar më shumë mundësi dhe kushte për rritjen dhe zhvillimin e bizneseve vendore”, ka deklaruar Kusari-Lila.




