Pas 28 vjetësh dhe 50 mijë kilometrash, aventurieri britanik Karl Bushby kthehet në shtëpi

Pas 28 vjetësh dhe 50 mijë kilometrash, aventurieri britanik Karl Bushby kthehet në shtëpi

Pas 28 vjetësh dhe 50 mijë kilometrash, aventurieri britanik Karl Bushby kthehet në shtëpi

Pas 28 vjetësh në një udhëtim të jashtëzakonshëm në këmbë, aventurieri britanik Karl Bushby është kthyer në vendlindjen e tij, duke përfunduar një rrugëtim prej rreth 50 mijë kilometrash, nga Kili, përmes katër kontinenteve, pa përdorur asnjë mjet transporti për të përparuar drejt destinacionit.

Sponsor 3M Express

Ish-parashutisti i ushtrisë britanike u prit të hënën në qendër të qytetit Hull, në verilindje të Anglisë, nga një turmë prej deri në 1 mijë personash, të cilët e përshëndetën me brohoritje. Bushby falënderoi të gjithë ata që e kishin mbështetur gjatë udhëtimit, duke theksuar se arritja nuk ishte vetëm meritë e tij.

“Unë nuk e bëra këtë i vetëm”, tha ai, duke e cilësuar ekspeditën si një përpjekje globale. Ai shtoi se gjatë rrugëtimit kishte marrë ndihmë nga shumë njerëz për të kapërcyer pengesa të jashtëzakonshme, përfshirë edhe vështirësi me autoritetet shtetërore.

Një ditë më parë, Bushby ishte duartrokitur edhe teksa kalonte urën e famshme Humber Bridge, pranë Hullit, në një mjegull të dendur. Prej aty vazhdoi drejt qendrës së qytetit dhe më pas drejt shtëpisë së nënës së tij.

Udhëtimi, që ai e ka quajtur “Ekspedita Goliath”, fillimisht ishte menduar të zgjaste 12 vjet, por përfundimisht u shndërrua në një aventurë 28-vjeçare. Xhunglat e dendura, shkretëtirat përvëluese, zonat e ngrira dhe pengesat burokratike e ngadalësuan vazhdimisht.

Ideja për këtë ekspeditë lindi në mesin e viteve 1990, pas një kartoline për ditëlindje nga babai i tij, Keith, vetë veteran i ushtrisë. Në të përmendej një debat mes pjesëtarëve të forcave speciale për mundësinë e ecjes nga Londra në Nju Jork përmes urës tokësore të Beringut, e cila, sipas disa shkencëtarëve, ishte përdorur nga njerëzit e hershëm për të kaluar nga Azia në Amerikë kur niveli i detit ishte më i ulët.

Bushby vizatoi në hartë një rrugë të pandërprerë përmes Evropës dhe Azisë drejt Amerikës së Veriut, por vendosi të vazhdonte edhe më tej, deri në skajin jugor të Kilit.

“Dhe kaq ishte. Pasi kjo ide më hyri në mendje, nuk kishte më kthim prapa”, ka treguar ai, transmeton Telegrafi.

Për të përfunduar misionin, Bushby vendosi dy rregulla të rrepta: nuk mund të përdorte mjete transporti për të përparuar në rrugëtim dhe duhej të kthehej në shtëpi në këmbë. Ai u nis me vetëm 500 dollarë dhe shumë shpejt u përball me erëra të fuqishme në stepat e Patagonisë.

Në vitin 2001, ai arriti t’i shmangej rreziqeve të konfliktit në Darien Gap, një zonë e vështirë dhe pa rrugë që lidh Amerikën e Jugut me atë Qendrore. Megjithatë, pasi kaloi një zonë kufitare të ndaluar në Panama, u arrestua dhe qëndroi 18 ditë në burg.

Një nga momentet më të rrezikshme ndodhi në vitin 2006, kur Bushby dhe aventurieri amerikan Dimitry Kieffer tentuan të kalonin ngushticën e Beringut, një distancë prej rreth 90 kilometrash. Gjatë përpjekjes, ai ra në ujërat e akullta dhe për pak sa nuk humbi jetën, ndërsa të dy rrezikuan të humbnin të gjitha furnizimet. Pasi arritën ta përfundonin këtë kalim të rrallë, u arrestuan në Rusi për hyrje të paligjshme në territorin e saj dhe u përballën me dëbimin.

Problemet me vizat dhe kushtet atmosferike bënë që kalimi nëpër Rusi të zgjaste pothuajse dhjetë vjet, pasi udhëtimi ishte i mundur vetëm për disa muaj gjatë vitit. Kur Moska ia refuzoi vizën në vitin 2012, Bushby organizoi një ecje protestuese nga Los Angelesi deri te ambasada ruse në Washington, D.C. Kjo përpjekje përfundimisht e ndihmoi të siguronte dokumentacionin e nevojshëm.

Sa herë që përballej me pengesa, ai tërhiqej përkohësisht në SHBA ose Meksikë, ku jetesa ishte më e lirë, dhe priste mundësinë për t’u kthyer në pikën ku kishte ndërprerë udhëtimin.

Gjatë kalimit nëpër Kinë, ai u ndoq nga policia, ndërsa pandemia e COVID-19 shkaktoi një tjetër ndërprerje të gjatë. Një nga sfidat më të pazakonta ishte kalimi i Detit Kaspik, të cilin u detyrua ta përshkonte duke notuar për 31 ditë, pasi tensionet gjeopolitike ia kishin mbyllur rrugët përmes Rusisë dhe Iranit.

Duke qenë se nuk është notar i mirë, ai përdori një jelek shpëtimi dhe kostum të posaçëm, ndërsa lëvizte ngadalë në ujë me një teknikë që e quajti “floatimming”, një kombinim i notimit dhe qëndrimit mbi ujë.

Edhe Evropa paraqiti vështirësi të veçanta, pasi kufizimet që lejonin qëndrimin vetëm 90 ditë në disa vende e detyruan të udhëtonte në periudha tre mujore. Në fillim të tetorit, ai kaloi me not edhe Kanalin Anglez për t’u kthyer në Mbretërinë e Bashkuar.

“Është ndjenjë e mirë të kesh sërish tokën britanike nën këmbë pas gjithë këtyre viteve”, deklaroi ai, duke pranuar se udhëtimi nuk kishte qenë aspak i lehtë.

Gjatë viteve, Bushby është mbështetur nga sponsorë të ndryshëm, të cilët herë pas here janë tërhequr për shkak të zgjatjes së ekspeditës dhe vështirësive financiare, veçanërisht pas krizës ekonomike të vitit 2008. Për 16 vitet e fundit, mbështetja kryesore ka ardhur nga një kompani produksioni e themeluar nga Beau Willimon, krijuesi i serialit “House of Cards”, dhe producenti muzikor Jordan Tappis.

Ata po mbështesin edhe realizimin e një dokumentari për udhëtimin, të drejtuar nga regjisori i njohur gjerman Werner Herzog, i cili ka shoqëruar Bushbyn gjatë kthimit në shtëpi së bashku me ekipin e tij filmik. Dokumentari me metrazh të gjatë titullohet “Walk of Life”.

Megjithatë, aventurieri thotë se mbështetja më e rëndësishme gjatë gjithë këtyre viteve ka ardhur nga njerëz të panjohur, shumë prej të cilëve nuk kishin pothuajse asgjë për të ofruar. Ai kujtoi se ishte strehuar në kasolle të improvizuara nga pjesë makinash, se familja e një mjeku në Peru e kishte ndihmuar të shërohej nga një infeksion i rëndë në stomak dhe se shumë njerëz e kishin ushqyer pa kërkuar asgjë në këmbim.

“Jam mirëpritur nga njerëzit më të varfër të të varfërve. Kam takuar 99.9999 për qind të anës më të mirë të njerëzimit. Në çdo kulturë dhe në çdo shtet, reagimi ka qenë i njëjtë”, tha ai.

Kryetarja e bashkisë së Hullit, Maria Coward, tha se shumë njerëz e kishin ndjekur udhëtimin e tij dhe se këmbëngulja, vendosmëria dhe guximi i tij kishin qenë frymëzim për qytetin.

Bushby pritej të ribashkohej të hënën në mbrëmje me nënën e tij, Angela, djalin 36-vjeçar, Adam, si dhe mbesën 12-vjeçare, të cilën nuk e kishte takuar kurrë më parë.

Në një intervistë për AFP-në, të dhënë në shtator nga veriu i Francës, Bushby kishte pranuar se kthimi në një jetë më të zakonshme në Britani mund të ishte një sfidë e re për të.

“Duhet të përpiqem të përshtatem sërish me botën e të rriturve”, kishte thënë ai. /Telegrafi/

Lexo edhe

Strategjia e ‘rrezikshme’ që Lamine Yamal e pati për ta fituar Topin e Artë

Strategjia e ‘rrezikshme’ që Lamine Yamal e pati për ta fituar Topin e Artë

“Copa”, “mall”, “bar” e “pluhur” | Si flitet me kode në përgjimet e Sky ECC

“Copa”, “mall”, “bar” e “pluhur” | Si flitet me kode në përgjimet e Sky ECC

Mbi 58 milionë euro buxheti i Ministrisë së Kulturës dhe Turizmit për vitin 2027

Mbi 58 milionë euro buxheti i Ministrisë së Kulturës dhe Turizmit për vitin 2027