Gati 1100 vjet më parë, mbreti i parë i Anglisë i dëboi vikingët “paganë”, i shpalli luftë urisë dhe e bëri atë që sot është “Englalonde”.

Nga: Tom Holland / The Guardian (titulli: King Æthelstan founded England in the year 927. Why don’t we celebrate that anniversary?)
Përkthimi: Telegrafi.com
Më 4 korrik, Shtetet e Bashkuara festuan 250-vjetorin e tyre me gjithë bujën dhe shkëlqimin karakteristik të një ngjarjeje publike amerikane. Verën e ardhshme, më 12 korrik, Anglia do të festojë 1100-vjetorin e ngjarjes që, më shumë se çdo tjetër, shënoi themelimin e vendit – por, bujë dhe shkëlqim, dyshoj unë, do të ketë shumë pak.
Kthesa e madhe ndodhi më 12 korrik 927, pranë lumit Imënt [Eamont], në atë që sot është Kambria [Cumbria]. Këtu, mes një natyre të egër me male dhe liqene, mbreti më i fuqishëm në Britani kishte thirrur mbretër dhe lordë të tjerë nga gjithë ishulli për t’u takuar me të në një samit.
Ethelstani [Æthelstan] ishte nipi i Alfredit të Madh [Alfred the Great], trashëgimtari i një dinastie që, deri në vitet 920, kishte arritur të sundonte të gjitha tokat në jug të Hamberit [Humber]. Ky grumbullim i fuqishëm territoresh ishte fryt i fitoreve të përsëritura mbi vikingët: një popull pagan, jashtëzakonisht luftarak dhe i dhënë pas praktikave të liga, si larja e trupit çdo javë.
Në vitin 925, kur Ethelstani ishte kurorëzuar pranë Temzës në Kingston, një viking ende sundonte në Jork [York] dhe pjesa më e madhe e Northambrisë [Northumbria] – dikur më e shkëlqyera nga mbretëritë anglosaksone – mbetej nën sundimin e tij. Por, kur në pranverën e vitit 927, ky mbret nordik i Jorkut vdiq papritur, Ethelstani e shfrytëzoi rastin. Ai u shfaq para mureve të qytetit të lashtë dhe nuk kishte askënd që t’i rezistonte. Zotërit e Northambrisë iu nënshtruan siç duhej Ethelstanit si kryezotit të tyre. Për herë të parë, të gjitha tokat e ndryshme ku flitej anglisht – tokat e anglëve dhe të saksonëve – ishin shtyrë të pranonin një mbret të vetëm. Një çast vendimtar, sepse kishte shënuar lindjen e një rendi të ri politik: mbretërinë e bashkuar të asaj që së shpejti do të njihej si “Englalonde” [Angli].
Takimi i samitit në Imënt u mbajt për ta solemnizuar këtë rend të ri. Aq frikësues ishte autoriteti i Ethelstanit saqë “të gjithë mbretërit e ishullit u vunë nën sundimin e tij”. U bë nënshtrimi; u premtuan pagesat e kontributeve; u dhanë betimet se nuk do të kishte më kurrë marrëdhënie me “vikingët paganë”. Këto betime, siç doli, nuk do të mbaheshin gjatë. Princat e Uellsit dhe Skocisë e kundërshtonin pretendimin e Ethelstanit për të sunduar si rex totius Britanniae – mbreti i gjithë Britanisë. Vdekja e tij në vitin 939 ua mundësoi atyre t’i shpëtonin sundimit të trashëgimtarëve të tij.
Por, mbijetoi mbretëria e bashkuar e Anglisë, e siguruar nga Ethelstani në vitin 927. Nuk kishte asgjë të paracaktuar në shfaqjen e saj. Sikur Ethelstani të mos e kishte shfrytëzuar rastin në vitin 927, atëherë konturat politike të Britanisë fare lehtë mund të kishin përfunduar shumë ndryshe. Nuk është e tepruar të përfytyrohet një mbretëri anglo-vikinge, e sunduar nga Jorku, duke lëshuar rrënjë të përhershme. Trashëgimtarët e Alfredit atëherë do të ishin kufizuar në Sauthambri [Southumbria], ndërsa mbretërit e skocezëve në Malësi [Highlands]. Ngjarjet e vitit 927 ishin, në këtë kuptim, krijimi i Skocisë po aq sa edhe i Anglisë.
Meriton plotësisht të përkujtohet 1100-vjetori i atij viti vendimtar. Ethelstani – ndonëse ishte luftëtar i fuqishëm – nuk ishte i madh vetëm si pushtues. Devotshmëria, dituria, pasioni për drejtësinë: edhe këto ishin cilësitë që tërhoqën lavdërimet e bashkëkohësve të tij. Ai nguliti në zemër të qeverisjes angleze parime ligjore dhe shoqërore që vazhdojnë edhe sot. Vendosmëria e Ethelstanit që askush që jetonte në tokat e tij të mos lejohej të vdiste nga uria e shtyu të nxirrte urdhëresa të përsëritura. Zyrtarët përgjegjës për pronat e tij u paralajmëruan nga zotëria i tyre se do të vendoseshin gjoba ndaj atyre që nuk e përmbushnin detyrën ndaj nevojtarëve dhe të ardhurat do të dhuroheshin për bamirësi: “Dëshira ime është që gjithmonë t’u siguroni ushqim të varfërve”.
A është vërtet aq optimiste gjendja shpirtërore në Anglinë e sotme, saqë nuk do të përmirësohej duke shënuar – dhe ndoshta edhe duke festuar – ditëlindjen e vendit? Historia se si dinastia mbretërore e Ethelstanit kaloi nga afër zhdukjes në duart e vikingëve te krijimi i një mbretërie që vazhdon edhe sot është ndër më të jashtëzakonshmet në historinë britanike.
Ishte një arritje po aq frymëzuese sa Revolucioni Amerikan dhe po aq epokale në pasojat e saj – dhe, ndryshe nga nënshkrimi i Deklaratës së Pavarësisë, pati edhe një nënë themeluese. Kjo ishte Ethelfleda [Æthelflæd], halla e jashtëzakonshme e Ethelstanit e cila, në rolin e saj si sunduese e Midlëndsit [Midlands], rimori nga vikingët zona të gjera territori. Personazhe të jashtëzakonshme, sukses dramatik kundër gjasave dhe arritja më e jashtëzakonshme e ndërtimit të shtetit në Evropën e hershme mesjetare: ka kaq shumë për të festuar.
Dhe, këtë e dinin ata që kishin qenë dëshmitarë të shfaqjes së Anglisë si shtet unitar. Ata e çmonin faktin se bashkimi i popujve të ndryshëm në një ndjenjë të përbashkët identiteti nuk ishte diçka që ishte arritur lehtë. Dy dekada e gjysmë pas vdekjes së Ethelstanit, një peshkop i quajtur Ethelvold [Æthelwold], i cili kishte shërbyer si një nga këshilltarët më të afërt të mbretit, i bëri homazh një burri që ishte “i pjekur në moshë dhe shumë i matur, largpamës në urtësi dhe i vështirë për t’u mposhtur në çfarëdo përplasjeje”.
Peshkopi Ethelvold foli në emër të të gjithë atyre të cilët, duke gëzuar rendin e sjellë në toka që vetëm disa dekada më parë kishin qenë skena masakrash dhe shkatërrimi, ndienin mirënjohjen që ua kishin borxh atyre që e kishin arritur atë. Ai, mjaft afër në kohë me sundimin e Ethelstanit sa të kishte qenë i mbrojturi i mbretit të madh, e kuptonte plotësisht përmasën e borxhit të tij. Ne, në largësinë prej 1100 vjetësh, ndoshta mund ta kujtonim më mirë. /Telegrafi/





