Liderët e 27 vendeve anëtare të Bashkimit Evropian pritet të përballen me mospajtime të thella lidhur me propozimin për buxhetin e përbashkët prej afro 1.6 trilion eurosh për periudhën 2028-2034, si dhe për vazhdimin e mbështetjes financiare për Ukrainën. Synimi është që dallimet të ngushtohen përpara arritjes së një marrëveshjeje në dhjetor, sipas Reuters.

Diplomatët presin që gjatë takimit të së enjtes, qeveritë e vendeve anëtare të paraqesin qëndrimet e tyre për çështjet kryesore, përfshirë ndihmën financiare për Ukrainën, ndërsa lufta e nisur nga Rusia në këtë vend po vazhdon.
27 shtetet anëtare shpresojnë që takimi t’i hapë rrugë presidentit të Këshillit Evropian, Antonio Costa, për të paraqitur një propozim të ri buxhetor në javët e ardhshme. Synimi është që marrëveshja të arrihet në samitin e 17 dhe 18 dhjetorit, transmeton klankosova.tv.
Buxheti shtatëvjeçar kërkon miratimin unanim të të gjitha 27 vendeve anëtare.
Propozimi për buxhetin 2028-2034 parasheh deri në 100 miliardë euro për Ukrainën, kryesisht për mbështetjen e mbrojtjes dhe financimin e buxhetit shtetëror. Megjithatë, sipas diplomatëve, kjo shumë është dukshëm më e ulët se nevojat financiare të vendit.
Negociatat do të përfshijnë edhe ndihmën për Kievin gjatë vitit 2027. Një nga propozimet është dhënia e një kredie prej 45 miliardë eurosh për Ukrainën, e cila do të financohej përmes huamarrjes të mbështetur në buxhetin aktual të BE-së, që përfundon në fund të vitit të ardhshëm.
Sipas këtij mekanizmi, Ukraina do të duhet ta kthejë kredinë vetëm në rast se Rusia paguan reparacionet e luftës për dëmet e shkaktuara në Ukrainë.





