Lulzim Syla

Një sinjal, jo një vizitë protokollare
Kur DZ Bank, banka e dytë më e madhe në Gjermani, dërgon përfaqësues në një forum ekonomik Kosovë-Gjermani, ky nuk është gjest mirësjelljeje. Është sinjal se kapitali gjerman po e vendos Kosovën në hartën e vet të interesit.
Javën e kaluar, në Forumin Ekonomik Kosovë-Gjermani, prania e DZ Bank-ës u vu re nga shumë pjesëmarrës. DZ Bank përfaqësohej në Forum në nivelin më të lartë nga z. Frank Scheidig – drejtor global për Shërbimet Bankare për klientët e nivelit të lartë drejtues. Por, pak e dinë sa e madhe është kjo bankë dhe çfarë rrjeti qëndron pas saj. Ky shkrim e shpjegon pikërisht këtë dhe çka mund të nxjerrë Kosova prej saj.
Çfarë është DZ Bank
DZ Bank (Deutsche Zentral-Genossenschaftsbank), me seli në Frankfurt, është banka qendrore e sistemit bankar kooperativ gjerman dhe njëkohësisht bankë korporative. Aksionarët e saj kryesorë janë vetë bankat kooperative lokale, pra pronësia buron nga poshtë, nga rajonet.
Shifrat flasin vetë:
|
Treguesi |
Vlera |
|
Asetet totale të Grupit DZ (30 qershor 2026) |
676 miliardë € |
|
Asetet totale (31 dhjetor 2025) |
661 miliardë € |
|
Fitimi para tatimit 2025 |
4.28 miliardë € (rekord) |
|
Fitimi neto 2025 |
2.88 miliardë € |
|
Raporti kosto/të ardhura 2025 |
49.3% |
|
Vlerësimi i kreditit (S&P / Moody’s / Fitch, qershor 2026) |
A+ / Aa2 / AA |
|
Punonjës në grup |
rreth 33 600 |
Grupi DZ nuk është vetëm bankë. Në të bëjnë pjesë Union Investment (menaxhim asetesh, rreth 535 miliardë € në menaxhim, gjashtë milionë investitorë), R+V Versicherung (mbi 20 miliardë € pagesa në sigurime, rreth nëntë milionë klientë), Bausparkasse Schwäbisch Hall, DZ HYP, DZ PRIVATBANK, TeamBank dhe VR Smart Finanz. DZ Bank ka edhe degë e zyra përfaqësimi në qendrat kryesore ekonomike të botës, për t’i shoqëruar kompanitë gjermane në biznesin ndërkombëtar.
Rrjeti që qëndron pas saj
Fuqia e vërtetë e DZ Bank-ës nuk është vetëm bilanci i saj, por rrjeti Volksbanken Raiffeisenbanken. Ajo është institucioni qendror për 646 banka kooperative lokale në Gjermani (fundi i vitit 2025), të cilat zotërojnë shumicën e aksioneve të saj. Para pak vitesh numri ishte mbi 800; konsolidimi i ka zvogëluar bankat në numër, por i ka bërë më të mëdha.
– 1.240 miliard euro – asetet totale të bankave kooperative lokale
– mbi 30 milionë klientë dhe 17,5 milionë anëtarë-pronarë
– rreth 140 000 punonjës në bankat lokale
– mbi 6 800 degë në gjithë Gjermaninë
– mbi 1 600 miliardë euro asete totale të rrjetit të konsoliduar (DZ + bankat lokale)
Këto banka janë financuesi tipik i Mittelstand-it, ndërmarrjeve të vogla e të mesme familjare që përbëjnë shtyllën e industrisë gjermane. Edhe në vitin 2025, me ekonominë gjermane në stagnim, kreditë e tyre për bizneset u rritën katër përqindKjo është pikërisht kategoria e kompanive që Kosova synon t’i tërheqë: prodhues të mesëm, furnizues industrialë, firma energjetike dhe teknologjike.
Çka do të thotë për Kosovën
Prania e një institucioni të këtij kalibri në një forum kosovar ka të paktën pesë kuptime praktike.
1. Besueshmëri. Bankat me vlerësim AA nuk shpenzojnë kohë në tregje që i konsiderojnë të parëndësishme. Pjesëmarrja e tyre i thotë çdo investitori gjerman se Kosova është temë që ia vlen të studiohet.
2. Ura drejt Mittelstand-it. Përmes rrjetit kooperativ, DZ Bank prek mijëra kompani gjermane të mesme që kërkojnë diversifikim të zinxhirëve të furnizimit drejt Ballkanit Perëndimor. Kosova mund të hyjë në këto biseda jo një nga një, por përmes një kanali të vetëm.
3. Financim për energji të gjelbër. Me kapacitetet e Union Investment, R+V dhe tregjeve të kapitalit, Grupi DZ është akter i rëndësishëm në financimin e infrastrukturës dhe energjisë së ripërtëritshme. Projektet kosovare të diellit, erës, biomasës dhe ruajtjes së energjisë (BESS) kanë nevojë pikërisht për kapital afatgjatë e të qëndrueshëm.
4. Diaspora si klient dhe si investitor. Rreth 600 mijë kosovarë jetojnë në Gjermani, shumë prej tyre klientë të Volksbanken dhe Raiffeisenbanken. Instrumentet e përbashkëta të kursimit dhe investimit mund ta kthejnë kursimin e diasporës në kapital produktiv për Kosovën.
5. Model institucional. Modeli kooperativ, banka në pronësi të anëtarëve, të rrënjosura në rajon, është mësim për Kosovën, ku qasja e NVM-ve dhe fermerëve në kredi të lirë mbetet e kufizuar.
Për t’u qartësuar: pjesëmarrja në forum nuk është ende zotim investimi. Është derë e hapur. Sa larg do të shkojmë varet nga ajo që ne do të ofrojmë në javët e ardhshme.
Nga forumi te projektet
Diskutimi i kryeministrit Kurti ishte shumë mirë i strukturuar dhe ju pëlqeu pjesëmarrësve, por Forumi nuk duhet të mbetet fotografi por veprime konkrete. Hapat që e kthejnë një takim në bashkëpunim janë konkret:
– Ekip i veçantë nga ana e qeverisë që i dedikohet një partneri të tillë strategjik dhe dosje investimesh për partnerët gjermanë – projekte të gatshme, me të dhëna financiare, rrezik dhe kthim, në gjuhën që e kupton një bankë gjermane.
– Takime pasuese brenda 30 ditëve, me DZ Bank dhe me bankat kooperative rajonale që kanë klientë të interesuar për rajonin.
– Produkt për diasporën – një instrument kursim-investimi për kosovarët në Gjermani, i ndërtuar bashkë me partnerë gjermanë.
– Platformë institucionale e përhershme – Oda Ekonomike Gjermano-Kosovare (OEGJK), klasterët industrialë si KIMERK dhe institucionet shtetërore duhet ta mbajnë këtë kanal të hapur gjatë gjithë vitit, jo vetëm në ditën e forumit.
Gjermania është partneri ynë më i natyrshëm: na lidh diaspora, gjuha, tregu dhe vlerat. Prania e DZ Bank-ës në forum tregon se ura ekziston. Tani duhet të punojmë me projekte konkrete.
(Autori është partner menaxhues i Elen Energy L.L.C. dhe bashkëthemelues i Odës Ekonomike Gjermano-Kosovare – OEGJK).




