Gati gjysmë dekade me tenderë të dështuar, miliona euro të planifikuara dhe uniforma që nuk u siguruan. Kjo është saga e furnizimit me uniforma të Policisë së Kosovës, një proces që ndër vite është përcjellë me anulime, ankesa, pezullime, rivlerësime dhe dyshime për shkelje në prokurim.

Problemi nuk është i ri. Që nga viti 2021, Policia e Kosovës ka dështuar vazhdimisht të sigurojë furnizim të rregullt me uniforma dhe këpucë për zyrtarët policorë. Ceremonia e diplomimit për më shumë se 300 kadetë të rinj të Policisë së Kosovës, e paraparë të mbahej të premten më 30 tetor, ishte shtyrë për shkak të mungesës së uniformave, shkruan Insajderi.
Ndërsa policia u ka kërkuar zyrtareve policore të gjinisë femërore t’i dorëzojnë kapelat e uniformës, në mënyrë që ato t’i huazohen gjeneratës së 63-të të kadetëve deri në diplomimin e saj. Ndërkohë u caktua data e re, 6 nëntor për ceremoninë e diplomimit.
Kryetari i Sindikatës së Policisë ka pranuar se që nga viti 2021, zyrtarët policorë nuk janë pajisur me uniforma të rregullta për shkak të dështimit të tenderëve.
Pse mbeti policia pa uniforma të reja?
Kontrata e fundit për furnizimin me uniforma ishte nënshkruar në vitin 2018 dhe kishte kohëzgjatje prej tri vjetësh. Pas përfundimit të saj, Policia nisi procedurat për një kontratë të re, por procesi u shndërrua në një histori të gjatë zvarritjesh.
Ndërsa një kontratë e re u arrit të nënshkruhet në korrik të vitit 2026.
2023/ Si dështoi tenderi milionësh ?
Për të kuptuar se pse policia mbeti pa uniforma duhet kthyer në shtator të vitit 2023.
Më 27 shtator të atij viti, Policia e Kosovës publikoi njoftimin për kontratë për dy lote, për furnizimin me uniforma standarde dhe solemne.
Por, pak ditë pas publikimit, procedura nisi të përballej me kërkesat e para për sqarime. Kompanitë e interesuara ngritën shqetësime lidhur me specifikat e tenderit dhe kërkuan përgjigje nga autoriteti kontraktues.
Më 17 tetor 2023, Policia iu përgjigj disa prej çështjeve të ngritura, ndërsa më 6 nëntor vendosi të aprovojë disa kërkesa të kompanive për korrigjimin e dosjes së tenderit dhe zgjatjen e afatit për dorëzimin e ofertave.
Megjithatë, kontestimet nuk u ndalën. Më 7 nëntor, Policia refuzoi kërkesën e një biznesi individual, ndërsa më 21 nëntor vendosi ta pezullojë aktivitetin e prokurimit pas kërkesave për rishqyrtim.
Dy ditë më vonë, më 23 nëntor, institucioni refuzoi si të palejueshme kërkesat për rishqyrtim të grupit të kompanive “Malbertex SHPK, Premium Beton SHPK, Demos SHPK, Mburoya SHPK dhe Levelmax SHPK”, duke i konsideruar ato të paraqitura jashtë afatit.
Një tjetër pezullim i aktivitetit u regjistrua më 27 dhjetor 2023, pasi dy kompani kishin ushtruar ankesa në Organin Shqyrtues të Prokurimit.
Ndërkohë, më 26 dhjetor 2023, Policia kishte pranuar 12 oferta nga operatorë të ndryshëm ekonomikë për dy lotet e tenderit.
Mes ofertuesve ishte edhe grupi “Eco Clean Corporation SHPK dhe Beijing Yiduchuan Clothing Group Company”, i cili për uniformat standarde kishte ofruar çmimin prej 8 milionë e 151 mijë eurosh.
“Phantom Solution SHPK” kishte ofertuar 12 milionë e 229 mijë euro për uniformat standarde, ndërsa grupi “Sabit Mjekiqi B.I, Genc Taahhut Giyim Tekstil Insaat San Vetic Ltd Sti VKN” kishte ofruar 9 milionë e 280 mijë euro.
Grupi “Empreus SHPK, Seyntex dhe Boulevard SHPK” kishte ofertuar 10 milionë e 640 mijë euro për uniformat standarde dhe 99 mijë e 664 euro për ato solemne.
Në mesin e ofertuesve ishte edhe grupi “Poligoni i Shenjëtarisë Katana, Senel Konfeksiyon Tekstil Taahhut San Vedis Tic Ltd Sti dhe Infoglobal BV”, me ofertë prej 8 milionë e 986 mijë e 627 eurosh për uniformat standarde.
Oferta kishin dorëzuar edhe grupet “N.Sh.T. Neramed, Matei Conf Grup S.R.L dhe Divers Consulting Grup SRL”, me 9 milionë e 944 mijë euro, si dhe “DE Kosova Tekstil L.L.C, D&E SHPK dhe Kimay SRL”, me 10 milionë e 389 mijë e 840 euro.
Ndërsa grupi “Mburoya, Taktik Tekstil Sanayi L.S” kishte ofruar 9 milionë e 203 mijë euro për uniformat standarde dhe 154 mijë e 195 euro për uniformat solemne.
2024 – Tenderi rekomandohet për kontratë, por OSHP-ja e kthen në pikën zero
Pas hapjes së ofertave, procesi vazhdoi me ankesa dhe kontestime rreth dokumentacionit të dorëzuar nga kompanitë.
Më 22 mars 2024, Policia njoftoi se për arsye objektive projekti për furnizimin me uniforma nuk ishte finalizuar dhe kërkoi zgjatjen e validitetit të ofertave edhe për 90 ditë.
Ndërkohë, më 26 mars 2024, Policia rekomandoi për kontratë grupin e operatorëve ekonomikë “Empreus SHPK, Seyntex dhe Boulevard SHPK”.
Por ky rekomandim nuk kaloi pa kundërshtime.
Më 29 mars, operatori ekonomik “Sabit Mjekiqi B.I” paraqiti kërkesë për rishqyrtim, duke pretenduar se Policia kishte shkelur disa dispozita të Ligjit për Prokurimin Publik. Më 8 prill, Policia e refuzoi kërkesën, me arsyetimin se nuk ishin dëshmuar shkeljet e pretenduara.
Në të njëjtën ditë, Policia refuzoi edhe kërkesën për rishqyrtim të kompanisë “DE Kosova Tekstil L.L.C”.
Një prej çështjeve kryesore në këtë kontestim ishte dokumentacioni teknik dhe a-testet laboratorike të paraqitura nga kompanitë.
Policia kishte pretenduar se disa nga a-testet e dorëzuara nuk posedonin akreditimin e nevojshëm. Sipas institucionit, ishin kontaktuar laboratorët dhe trupi akreditues, të cilët kishin konfirmuar se për disa teste nuk ishin lëshuar certifikatat përkatëse të akreditimit.
Po ashtu, Policia kishte kontaktuar laboratorin “Best SRL” në Itali, i cili, sipas përgjigjes së institucionit, nuk kishte pranuar se posedonte akreditim për kryerjen e njërit prej testeve të kërkuara.
Për këtë arsye, kompania ishte eliminuar për pjesën e parë dhe të dytë të tenderit, ndërsa mostrat e saj nuk ishin hapur.
A-testet janë testime teknike dhe laboratorike përmes të cilave verifikohet cilësia, siguria dhe përputhshmëria e materialeve të uniformave me specifikimet e kërkuara.
Kompania “DE Kosova Tekstil L.L.C” nuk u pajtua me këtë vendim dhe më 16 prill 2024 iu drejtua OSHP-së.
Në ankesën e saj, kompania pretendonte se dokumentacionin e kërkuar e kishte dorëzuar të plotë, ndërsa kundërshtonte edhe rekomandimin për dhënie të kontratës për grupin “Empreus, Seyntex dhe Boulevard”, duke pretenduar se edhe oferta e këtij grupi kishte probleme.
Më 15 maj 2024, ekspertja shqyrtuese Agnesë Ibrahimi dhe eksperti teknik Zeni Ballazhi rekomanduan aprovimin e pjesshëm të ankesës, anulimin e njoftimit për dhënie të kontratës dhe anulimin e aktivitetit të prokurimit.
Më 19 gusht 2024, Policia mori vendim për anulimin e dhënies së kontratës për grupin “Empreus SHPK, Seyntex dhe Boulevard SHPK”.
Tri ditë më vonë, më 22 gusht, institucioni njoftoi kompanitë pjesëmarrëse se aktiviteti i prokurimit po kthehej në rivlerësim, në bazë të vendimit të OSHP-së.
2025 – Procesi vazhdon mes kërkesave për zgjatje dhe pezullimeve
As rivlerësimi nuk i dha fund zvarritjes.
Më 3 dhjetor 2024 dhe 11 mars 2025, Policia njoftoi operatorët ekonomikë për kërkesat për zgjatjen e validitetit të ofertave dhe sigurimit të tenderit.
Më 19 mars 2025, aktiviteti u pezullua sërish pas kërkesave për rishqyrtim të paraqitura nga grupi “DE Kosova Tekstil L.L.C, D&E SHPK dhe Kimay SRL”, si dhe nga kompania “Empreus”.
Të dy operatorët kundërshtonin vendimin e Policisë për anulimin e aktivitetit dhe kthimin e tij në rivlerësim.
Policia refuzoi kërkesën e grupit “DE Kosova Tekstil, D&E dhe Kimay”, duke pretenduar se operatori nuk kishte ofruar të dhëna të mjaftueshme për shkeljet e pretenduara. Institucioni përsëriti edhe qëndrimin se a-testet duhej të ishin lëshuar nga laboratorë të akredituar për fushëveprimet përkatëse.
2026 – Pas gati pesë vjetësh, nënshkruhet kontrata 10.6 milionëshe
Pas gati tri vjetësh nga publikimi i tenderit dhe disa procedurave të përcjella me ankesa, pezullime e rivlerësime, Policia e Kosovës më në fund arriti ta përmbyllë procesin për furnizimin me uniforma standarde.
Më 12 qershor 2026, Policia publikoi njoftimin për dhënie të kontratës në vlerë prej 10 milionë e 640 mijë eurosh për grupin e operatorëve ekonomikë “EMPREUS” SHPK, “Seyntex” dhe “BOULEVARD” SHPK.
Më 20 korrik u publikua edhe njoftimi për nënshkrimin e kontratës, e cila ka kohëzgjatje prej 36 muajsh.
Kështu, pas një procesi të gjatë që nisi në vitin 2023 dhe pas përpjekjeve për furnizim që datojnë nga viti 2021, Policia arriti ta lidhë kontratën për uniformat e reja.
Në kontratë thuhej se afati kohor për dorëzim është 180 ditë.
Megjithatë, mbetet të shihet se kur do të realizohen furnizimet dhe kur zyrtarët policorë do t’i kenë uniformat e reja në përdorim.
Burimi: Insajderi




