Edhe dita e dytë e qëndrimit të Jakup Krasniqit pranë familjes po përcillet nën masa të shtuara të sigurisë, konkretisht me përcjelljen e automjeteve të EULEX-it dhe praninë e pjesëtarëve të Policisë së Kosovës.
Krasniqi ka qëndruar edhe dje në shtëpinë e tij gjatë orëve të paradites për vizitë familjare, pasi Gjykata Speciale ia ka lejuar këtë, për arsye humanitare, për shkak të gjendjes së rënduar shëndetësore të bashkëshortes së tij.

Kjo është vizita e dytë e tij në Kosovë që nga nëntori i vitit 2020, kur u arrestua. Për herë të parë, ai ishte kthyer në vendlindje në tetor të vitit 2024, me rastin e vdekjes së vëllait të tij.
Solidaritet dhe mbështetje për familjen Krasniqi ka shprehur edhe kryeministri Albin Kurti, i cili situatën e ka cilësuar jashtëzakonisht të dhimbshme, duke thënë se në këto momente të vështira të gjithë bashkëndiejnë me familjen e tij.
Kurti gjithashtu ka përmendur dënimin prej 25 vjetësh burgim ndaj Krasniqit, duke shprehur qëndrimin lidhur me procesin gjyqësor dhe duke thënë se është pranë familjes në këto momente të vështira.
Edhe kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, ka reaguar lidhur me ardhjen e Jakup Krasniqit në Kosovë.
Ajo ka shprehur solidaritetin me Krasniqin dhe familjen e tij, duke kujtuar kontributin e tij gjatë luftës dhe në proceset e rëndësishme të shtetndërtimit të Kosovës.
Haxhiu ka shprehur përkushtimin për të vazhduar angazhimin për drejtësi dhe lirimin e plotë të krerëve të UÇK-së në Apel.
Ajo i ka uruar forcë Jakup Krasniqit, zërit të UÇK-së, bashkëshortes dhe familjes së tij, që këto ditë të vështira t’i kalojnë së bashku.
Burimi: RTKLive





