Komuna e Gjakovës i ka dhënë kontratë në vlerë prej 14 mijë e 400 eurosh Pjetër Markut, ish-zyrtarit të këtij institucioni, i cili ishte pensionuar në fund të gushtit të këtij viti.

Marku, i cili për shumë vite kishte ushtruar detyrën e inspektorit të trafikut dhe më pas atë të zyrtarit të lartë për transport dhe trafik, është angazhuar tashmë si konsulent për shërbime në fushën e transportit, trafikut dhe infrastrukturës rrugore, shkruan Insajderi.
Kontrata mes Komunës së Gjakovës dhe Markut është nënshkruar më 11 nëntor 2026 dhe ka kohëzgjatje prej 24 muajsh, përkatësisht deri më 11 nëntor 2028.
Sipas dokumentit të kontratës, vlera totale e saj është 14,400 euro, ndërsa kompensimi mujor për shërbimet e konsulencës është përcaktuar në 600 euro.
Çka përfshin kontrata?
Sipas nenit 1 të marrëveshjes, Pjetër Marku do të mbështesë Drejtorinë për Infrastrukturë dhe Sektorin për Transport dhe Trafik në disa fusha.
Detyrat e tij përfshijnë menaxhimin e kontratave dhe projekteve që lidhen me transportin, trafikun dhe infrastrukturën rrugore, si dhe ofrimin e këshillave profesionale për rregullimin dhe menaxhimin e trafikut.
Po ashtu, ai do të asistojë në shqyrtimin e kërkesave për leje në fushën e transportit dhe trafikut, do të mbështesë procedurat që lidhen me transportin publik, transportin e udhëtarëve dhe shërbimet e taksive.
Në kuadër të angazhimit të tij parashihet edhe analizimi i çështjeve teknike të rrjetit rrugor, propozimi i masave për përmirësimin e sigurisë dhe efikasitetit të trafikut, si dhe përgatitja e raporteve dhe rekomandimeve teknike sipas nevojave të drejtorisë.
Kontrata është nënshkruar në emër të Komunës së Gjakovës ndërsa mban edhe nënshkrimin e Pjetër Markut.
Pagesat për shërbimet do të realizohen pas dorëzimit të faturave, brenda afatit të përcaktuar prej 15 ditësh kalendarike.
Pensionimin e Pjetër Markut, në fund të gushtit, e kishte bërë publik vetë institucioni i Komunës së Gjakovës.
Kështu, ish-zyrtari komunal, të cilit Komuna e Gjakovës në gusht i kishte uruar pensionim të mbarë pas 26 vitesh punë, është rikthyer në këtë institucion përmes një kontrate dyvjeçare konsulence, me kompensim prej 600 eurosh në muaj.
Në njoftimin e publikuar atëkohë, komuna kishte bërë të ditur se Marku po pensionohej pas 26 vitesh punë dhe përkushtim në këtë institucion, duke e vlerësuar kontributin e tij në shërbim të qytetarëve.
Në ceremoninë e pensionimit kishte marrë pjesë edhe kryetari i Komunës së Gjakovës, Ardian Gjini, i cili kishte shprehur mirënjohje për kontributin shumëvjeçar të tij.
Megjithatë, vetëm disa muaj pas pensionimit, Marku është angazhuar sërish nga i njëjti institucion, kësaj radhe përmes një kontrate konsulence me pagesë.
Burimi: Insajderi





