Rr.H., i arrestuar më 18 nëntor nën dyshimin për vrasjen e S. D. në Suharekë, raportohet se kishte vrarë edhe bashkëshorten e tij në Zvicër, rast për të cilin një shtetas kosovar ishte dënuar me 19 vjet burgim, shkruan Telegrafi.

Ngjarja në Zvicër kishte ndodhur më 8 nëntor 2011, në St. Gallen. Sipas raportimeve të mediave zvicerane SRF dhe Swissinfo, një 46-vjeçar kosovar kishte goditur me veturë bashkëshorten e tij, me të cilën jetonte i ndarë, në afërsi të vendit të saj të punës.
Pas goditjes me veturë, ai e kishte goditur gruan disa herë në kokë me një mjet metalik. Ajo kishte vdekur në vendin e ngjarjes.
Sipas Swissinfo-s, burri ishte larguar nga vendi i ngjarjes, por pak kohë më vonë ishte arrestuar nga policia dhe e kishte pranuar veprën. Gjatë procesit gjyqësor, megjithatë, ai e kishte tërhequr pjesërisht pranimin e mëparshëm.
Më 2 maj 2013, Gjykata e Qarkut në St. Gallen e dënoi atë me 19 vjet burgim për vrasje. Prokuroria kishte kërkuar këtë dënim, ndërsa mbrojtja kishte kërkuar që vepra të cilësohej si vrasje me dashje dhe që i akuzuari të dënohej me 10 vjet burgim.
Kryetarja e trupit gjykues e kishte cilësuar ngjarjen si jashtëzakonisht brutale dhe gjakftohtë. Sipas raportimit të Swissinfo-s, gjykata kishte konstatuar se burri kishte vepruar nga zemërimi dhe hakmarrja, pasi bashkëshortja nuk kishte pranuar të kthehej tek ai dhe kishte nisur një lidhje të re.
“Ju e keni konsideruar veten zot të jetës së bashkëshortes suaj”, i kishte thënë gjyqtarja të dënuarit gjatë shpalljes së vendimit.
Në të njëjtin rast, gjykata kishte vendosur që vajza dhe djali i çiftit të merrnin nga 35 mijë franga zvicerane kompensim. Avokati i tyre kishte deklaruar se dy fëmijët dëshironin që babai i tyre të qëndronte sa më gjatë në burg, transmeton Telegrafi.
Dënimi prej 19 vjetësh mbeti në fuqi edhe pas ankesës
I dënuari kishte ushtruar ankesë ndaj vendimit, duke kërkuar uljen e dënimit në 10 vjet burgim dhe ndryshimin e cilësimit të veprës penale.
Megjithatë, më 5 mars 2014, Gjykata Kantonale e St. Gallenit e la në fuqi dënimin prej 19 vjetësh burgim. Sipas SRF-së, gjykata e shkallës së dytë e cilësoi veprën si veçanërisht të dënueshme.
Çështja më pas u shqyrtua edhe nga Gjykata Supreme Federale e Zvicrës. Me vendimin e 25 shtatorit 2014, në dosjen me numër 6B_592/2014, ankesa e të dënuarit u refuzua. Kështu, dënimi prej 19 vjetësh burgim mbeti në fuqi.
Në vendimin e saj, Gjykata Supreme Federale e përshkroi mënyrën e kryerjes së vrasjes si jashtëzakonisht brutale dhe të pamëshirshme. Ajo nuk i pranoi argumentet e të dënuarit për ndryshimin e cilësimit ligjor të veprës./Telegrafi/





