Komisioni Evropian, në raportin për Kosovën për vitin 2026, ka evidentuar 35 raste të sulmeve fizike dhe verbale apo kërcënimeve ndaj gazetarëve gjatë periudhës raportuese, duke theksuar se kjo paraqet një rënie të konsiderueshme krahasuar me vitin paraprak.

Sipas raportit, rastet përfshijnë pengimin e punës së gazetarëve nga zyrtarët e sigurisë, si dhe akuza dhe gjuhë të ashpër nga zyrtarë të lartë qeveritarë, përfshirë kryeministrin Albin Kurti ndaj gazetarëve dhe mediave.
Komisioni Evropian ka theksuar se zyrtarët publikë duhet të përmbahen nga deklaratat retorike që shënjestrojnë ose diskreditojnë gazetarët, ndërsa sulmet dhe frikësimi i tyre duhet të dënohen.
Gjatë periudhës raportuese, një kameraman është arrestuar dhe mbajtur përkohësisht nga Policia e Kosovës, ndërsa të paktën katër persona janë ndaluar për kërcënimin e gazetarëve.
Në raport përmenden edhe rastet e ngacmimeve online dhe shpërndarjes së të dhënave personale të gazetarëve. Ndërkaq, gjatë kësaj periudhe nuk janë regjistruar padi strategjike kundër pjesëmarrjes publike (SLAPP).
Në pjesën që trajton mjedisin ligjor, Komisioni Evropian vlerëson se Kosova ende nuk është harmonizuar plotësisht me legjislacionin e Bashkimit Evropian për lirinë e shprehjes dhe mediat.
Raporti thekson nevojën për përafrimin e legjislacionit me Aktin Evropian për Lirinë e Medias dhe kornizën ligjore të BE-së kundër padive SLAPP.
Po ashtu, KE-ja vlerëson se duhet të miratohen Ligji i ri për Radio Televizionin e Kosovës (RTK) dhe Ligji për mbrojtjen e burimeve të gazetarëve.
Sa i përket Ligjit për shpifjen civile, raporti kërkon harmonizimin e tij me praktikën gjyqësore të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.
Komisioni Evropian përmend edhe nevojën për rishikimin e projektligjit të ri për Komisionin e Pavarur të Mediave, pas shfuqizimit të ligjit paraprak nga Gjykata Kushtetuese. Ndryshimet duhet të jenë në përputhje me standardet evropiane dhe ndërkombëtare, përfshirë zgjerimin e kompetencave rregullatore edhe në mediat online.
Raporti bën të ditur se në prill të vitit 2026, Kuvendi emëroi gjashtë nga tetë anëtarët që mungonin në Bordin e RTK-së dhe të gjashtë anëtarët që mungonin në Komisionin e Pavarur të Mediave.
Megjithatë, në Bordin e RTK-së vazhdojnë të jenë katër vende të paplotësuara, përfshirë një vend të rezervuar për komunitetin serb dhe një për komunitetet e tjera joshumicë.
Shoqëria civile ka raportuar mungesë transparence dhe parregullsi në procesin e emërimeve. Po ashtu, vendimet dhe gjobat e KPM-së ndaj mediave, lidhur me rastet e mbetura nga ciklet zgjedhore të vitit 2025, janë kritikuar nga shoqëria civile, e cila ka vënë në pikëpyetje ligjshmërinë e tyre.
Një tjetër shqetësim i evidentuar është se Bordi i Ankesave i KPM-së nuk ka pasur kuorum që nga nëntori i vitit 2023.
Komisioni Evropian thekson se gazetarët vazhdojnë të përballen me vonesa dhe pengesa në qasjen në dokumente publike.
Ndërkaq, mediat në gjuhën serbe vazhdojnë të kenë vështirësi në sigurimin e informacioneve në gjuhën serbe, për shkak të zbatimit jo të duhur të Ligjit për përdorimin e gjuhëve.
Raporti vlerëson se liria e shprehjes për serbët e Kosovës mbetet nën presion, ndërsa zbatimi i rregullave kundër nxitjes së urrejtjes është i pabarabartë.
Në këtë kontekst, përmenden edhe kufizimet ndaj flamujve serbë dhe simboleve të komunitetit në shumë zona të Kosovës të banuara me serbë. /Telegrafi/




