Ndalimi kombëtar i fluturimeve në të gjithë SHBA-në, i cili preku fluturimet në nisje, është hequr pas gati pesë orësh. Megjithatë, pasagjerët duhet të presin ende vonesa të konsiderueshme, ndërsa aeroportet po përpiqen të përballojnë fluksin e krijuar nga grumbullimi i fluturimeve të vonuara.

Sekretari amerikan i Transportit, Sean Duffy, dhe sekretari i Sigurisë Kombëtare, Markwayne Mullin, mbajtën më herët një konferencë për media, ku deklaruan se ndalimi i fluturimeve ishte vendosur për shkak të të dhënave jokonsistente të transmetuara nga pajisjet e vjetruara.
Duffy fajësoi për ndërprerjen sistemet e vjetra të kontrollit të trafikut ajror, të cilat nuk janë përditësuar për shkak të mungesës së financimit nga Kongresi. Ai kërkoi 50 miliardë dollarë për ndërtimin e një sistemi të ri, modern dhe të teknologjisë më të avancuar.
Mullin siguroi të pranishmit se nuk kishte asnjë provë që ndalimi i fluturimeve ishte shkaktuar nga një sulm kibernetik apo që kishte lidhje me ndërprerjen e shërbimeve të Microsoft-it një ditë më parë. Ai gjithashtu deklaroi se “askush nuk ishte vënë në rrezik”.
Ky është vetëm rasti i dytë, dhe më i gjati, kur është vendosur një ndalim i tillë i fluturimeve që nga sulmet terroriste të 11 shtatorit 2001.
Përfaqësues nga të dyja kampet politike kanë kërkuar nisjen e një hetimi për të zbardhur atë që ndodhi të premten në mbrëmje, me qëllim që një situatë e tillë “të mos përsëritet më kurrë”.
Burimi: Insajderi





