Kandidati për kryeministër të Izraelit, Gadi Eisenkot, e ka akuzuar të premten kryeministrin në largim, Benjamin Netanyahu, se po nxit një fushatë “raciste” kundër pakicës arabe në vend, pasi ky i fundit u përpoq të delegjitimonte përfaqësuesit e kësaj komuniteti, duke i lidhur me Hamasin.

Deklarata e Eisenkotit përbën një rast të rrallë kur një politikan i njohur hebre mbron publikisht dhe fuqishëm qytetarët arabë të Izraelit, të cilët përbëjnë më shumë se 20 për qind të popullsisë së vendit.
Dy partitë me shumicë arabe, Ra’am dhe Lista e Përbashkët, fituan gjithsej 19 ulëse në zgjedhjet e muajit të kaluar, duke siguruar gati një të gjashtën e 120 vendeve në parlament. Për këtë arsye, ato mund të luajnë rol vendimtar në përpjekjet e Eisenkotit për formimin e qeverisë së re.
“Qytetarët arabë të Izraelit janë pjesë përbërëse e historisë së Izraelit”, shkroi Eisenkot të premten në platformën X.
“Ata janë përballur me një fushatë raciste dhe agresive për delegjitimimin e tyre, e nxitur për qëllime politike nga kryeministri në largim dhe njerëzit përreth tij”, shtoi ai.
“Përpjekja për t’i margjinalizuar dhe për ta njollosur kolektivisht një komunitet të tërë përbën shkelje të rëndë të parimeve të përgjegjësisë qytetare”, theksoi Eisenkot.
Netanyahu dhe aleatët e tij i kanë kritikuar vazhdimisht liderët e partive arabe për refuzimin që ta cilësojnë Hamasin si “organizatë terroriste”, pas sulmit të paprecedentë të 7 tetorit 2023 ndaj Izraelit.
Megjithatë, të gjithë liderët e partive arabe e kanë dënuar atë sulm, gjatë të cilit u vranë edhe qytetarë arabë të Izraelit, pasardhës të palestinezëve që mbetën në territoret që u bënë pjesë e Izraelit në vitin 1948.
Netanyahu gjithashtu ka pretenduar vazhdimisht se partitë me shumicë arabe kanë kryer mashtrime zgjedhore, por autoritetet zgjedhore i kanë hedhur poshtë këto pretendime.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
Burimi: Sinjali





