Analisti Belgzim Kamberi ka vlerësuar se opozita në Kosovë është e përçarë dhe e paorganizuar, ndërsa brenda saj po zhvillohet edhe një përpjekje për të marrë rolin udhëheqës të opozitarizmit.
Në Debat Plus, Kamberi ka thënë se mungesa e harmonizimit nuk vërehet vetëm ndërmjet grupeve të ndryshme parlamentare dhe partive politike, por edhe brenda vetë grupeve parlamentare.

Ai ka përmendur edhe zhvillimet brenda Lidhjes Demokratike të Kosovës, duke thënë se deputetja Vjosa Osmani po tenton ta marrë rolin e opozitarizmit brenda LDK-së, por se kjo sipas tij, nuk duket të jetë e lehtë, pasi Hykmete Bajrami dhe deputetë të tjerë nuk shfaqin gatishmëri për t’ia lënë këtë rol.
“Ka një tendencë nga Vjosa Osmani per t’u përpjekë për ta marr një lloj flamuri të opozitarizimit brenda LDK-së, dhe që nuk duket që ka me qenë e lehtë për ta marrë, sepse po shihet që grupi, nëse mund të i quajmë grup, ky zonja Bajrami dhe të tjerët, nuk është që fort janë shumë të interesuar edhe që me ia leju këtë flamurin e opozitarizmit”, ka theksuar ai.
Sipas tij, opozita nuk po tregon as organizim dhe as potencial të mjaftueshëm për të ushtruar një opozitarizëm të fuqishëm. Ai ka kritikuar gjithashtu mungesën e një strategjie të qartë në trajtimin e temave politike.
Kamberi ka thënë se partitë opozitare kalojnë nga një temë në tjetrën, duke u ndalur për disa ditë te çështjet e energjisë, më pas te arsimi dhe më vonë te raste të tjera, pa ndërtuar një qasje të qëndrueshme opozitare.
Megjithatë, ai ka vlerësuar se, paradoksalisht, mënyra e qeverisjes dhe qëndrimi i shumicës parlamentare po e ushqejnë më shumë opozitarizmin.
Burimi: Dukagjini





