Maduro ka deklaruar se statutet e FIFA-s e lejojnë një person të jetë president për maksimumi tri mandate. Për këtë arsye, ai vlerëson se Infantino nuk mund të kërkojë një mandat tjetër.
Presidenti aktual i FIFA-s u zgjodh për herë të parë në vitin 2016, pas dorëheqjes së Sepp Blatterit, ndërsa u rizgjodh në vitet 2019 dhe 2023.

Megjithatë, në dhjetor të vitit 2022, Këshilli i FIFA-s vendosi njëzëri që periudha 2016-2019 të mos llogaritej si mandat i plotë, me arsyetimin se Infantino kishte përfunduar mandatin e ndërprerë të paraardhësit të tij.
Pikërisht ky interpretim është kundërshtuar nga organizata për të drejtat e njeriut FairSquare, e cila u ka bërë thirrje federatave anëtare të FIFA-s që ta shpallin Infantinon të papërshtatshëm për kandidim në vitin 2027.
“Statuti i FIFA-s është shumë i qartë kur thotë se askush nuk mund të shërbejë si president për më shumë se tri mandate. Gianni Infantino është zgjedhur tri herë dhe ka qenë president për tri mandate. Prandaj, nuk ka asnjë mënyrë për të arsyetuar një tjetër mandat të tij”, ka deklaruar Maduro.
Juristi portugez ka theksuar se rregullorja nuk bën dallim mes mandateve të plota dhe atyre të papërfunduara.
Nga ana tjetër, mbështetja për një kandidim të ri të Infantinos është rritur pas përkrahjes që ai mori muajin e kaluar nga drejtuesi i futbollit aziatik. Ai ka mbështetje edhe nga konfederata të tjera, ndërsa FIFA ka 211 federata anëtare me të drejtë vote.
FairSquare ka bërë të ditur se u është drejtuar pesëdhjetë ne dy federatave anëtare, duke kërkuar që ato të reagojnë për këtë çështje. Organizata ka zhvilluar kontakte edhe me zyrtarët e futbollit norvegjez, të cilët më herët kishin mbështetur një ankesë kundër Infantinos për shkelje të rregullave të neutralitetit politik.
Drejtori i FairSquare, Nicholas McGeehan, ka kërkuar që edhe federatat e tjera të marrin qëndrim, duke theksuar se kjo çështje nuk duhet t’i lihet vetëm Federatës së Futbollit të Norvegjisë.
Ndërkohë, Maduro ka kritikuar edhe mekanizmat e brendshëm të FIFA-s, duke pretenduar se organet që duhet të mbikëqyrin punën e presidentit nuk janë mjaftueshëm të pavarura.
Burimi: RTKLive




