Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti ka thënë sot se buxheti i vitit 2027 është miratuar në Qeveri pas afatit ligjor.

Hoti në një postim në Facebook shkruan se buxheti i vitit 2027 u miratua në Qeveri pas afatit ligjor, i përcaktuar më 31 tetor sipas Ligjit për Menaxhimin e Financave Publike.
“Në vitet e kaluara, kur ndonjë komunë e miratonte buxhetin komunal pas afatit ligjor, Qeveria nuk e përfshinte atë komunë në buxhetin e përgjithshëm. Në raste të tilla, buxheti i asaj komune duhej t’i nënshtrohej veçmas procedurave të miratimit në Qeveri dhe në Kuvend.
Është e papranueshme kjo nëpërkëmbje e ligjit nga LVV-ja dhe sejmenët e saj. Është mjerim politik të shohësh 20 ministra të mbledhur për të miratuar buxhetin, të cilët, ndonëse janë të vetëdijshëm se po bëjnë shkelje ligjore, nuk guxojnë të hapin gojën për ta konstatuar për shkelje.
Me këto sjellje, kjo nuk është Qeveri dhe këta nuk janë ministra. Këta janë një grup abuzuesish me ligjin dhe Kushtetutën”, shkruan ai. /Telegrafi/




