Rrahman Hoti, i arrestuar sot nën dyshimin për vrasjen e Sylë Dakajt në Suharekë, ishte raportuar edhe në mediat zvicerane për një rast të rëndë kriminal të ndodhur në vitin 2011 në St. Gallen të Zvicrës. Sipas raportimeve të mediave zvicerane, një shtetas kosovar me inicialet Rrahman H. ishte dënuar me 19 vjet burgim për vrasjen e bashkëshortes së tij.

Ngjarja kishte ndodhur më 8 nëntor 2011, në afërsi të vendit të punës së gruas, me të cilën ai jetonte i ndarë.
Sipas raportimeve të atëhershme, burri e kishte pritur bashkëshorten dhe e kishte goditur nga prapa me veturë. Më pas, kishte nxjerrë nga bagazhi një shufër hekuri dhe e kishte goditur disa herë në kokë, duke e lënë të vdekur në vendin e ngjarjes.
Gjatë largimit, ai kishte kërcënuar edhe një punëtor të rrugës, i cili kishte tentuar t’i ofronte ndihmë viktimës.
Gjatë procesit gjyqësor, kryetarja e trupit gjykues e kishte cilësuar vrasjen si jashtëzakonisht brutale dhe gjakftohtë. Sipas vlerësimit të gjykatës, vepra ishte planifikuar dhe ishte motivuar nga zemërimi e hakmarrja, pasi gruaja kishte refuzuar të kthehej tek bashkëshorti dhe kishte nisur një lidhje të re.
“Ju e keni konsideruar veten zot të jetës së bashkëshortes suaj”, i ishte drejtuar gjyqtarja të dënuarit gjatë shpalljes së aktgjykimit.
Në maj të vitit 2013, Gjykata e Rrethit në St. Gallen e kishte dënuar atë me 19 vjet burgim. Një vit më vonë, Gjykata e Kantonit të St. Gallenit e kishte konfirmuar dënimin.
Gjykata kishte vendosur gjithashtu që dy fëmijët e çiftit të merrnin nga 35 mijë franga zvicerane si kompensim për dhimbjen e shkaktuar nga humbja e nënës. Avokati i tyre kishte deklaruar gjatë gjykimit se të dy fëmijët dëshironin që babai i tyre të qëndronte sa më gjatë në burg.
Ndërkaq, sot, më 18 nëntor 2026, Suhareka u trondit nga të shtënat me armë zjarri, ku mbeti i plagosur rëndë Sylë Dakaj.
Dakaj u dërgua në Spitalin e Përgjithshëm të Prizrenit pa shenja jete. Pavarësisht përpjekjeve të ekipit mjekësor për ta reanimuar, ai nuk arriti t’u mbijetonte plagëve të marra.
Rrahman Hoti, rreth 60-vjeçar, është arrestuar nga Policia e Kosovës nën dyshimin për përfshirje në këtë vrasje. Sipas informacioneve të para, ngjarja dyshohet se ka ndodhur pas një konflikti për një parking.
Megjithatë, raportimet e mediave zvicerane për rastin e vitit 2011 e identifikojnë të dënuarin me inicialet Rrahman H., prandaj përputhja e plotë e identitetit me të dyshuarin e arrestuar sot në Suharekë kërkon konfirmim të veçantë nga dokumentet gjyqësore ose autoritetet përkatëse.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
Burimi: Sinjali





