Inspektorati Policor i Kosovës (IPK) është vënë në lëvizje pas rastit tragjik të vdekjes së 26-vjeçares Blerta Hyseni, e cila ndërroi jetë pasi ishte ndaluar nga Policia në Vërmicë, ku në veturën me të cilën udhëtonte u gjetën mbi 100 gramë kokainë, shkruan Gazeta Sinjali.

Në një përgjigje ekskluzive për Gazetën Sinjali, IPK ka konfirmuar se mbrëmë pas mesnatës është njoftuar nga Policia e Kosovës lidhur me këtë rast dhe menjëherë një ekip i hetuesve ka dalë në terren.
Sipas IPK-së, hetuesit e tyre janë koordinuar me Prokurorinë e Shtetit, ndërsa në vendin e ngjarjes kanë dalë edhe njësitet përgjegjëse të Stacionit Policor në Prizren, prokurori kujdestar, Sektori Rajonal i Hetimeve dhe forenzika, për të ndërmarrë veprimet fillestare hetimore.
“Duke ju referuar kërkesës suaj, Inspektorati Policor i Kosovës ju konfirmon se mbrëmë pas mesnatës është njoftuar nga Policia e Kosovës për këtë rast. Një ekip e hetuesve të IPK-së i janë përgjigjur informacionit dhe bazuar në autorizimet ligjore kanë kontaktuar edhe me Prokurorinë e Shtetit”, thuhet në përgjigjen e IPK-së për Sinjalin.
Po ashtu, nga IPK bëjnë të ditur se me urdhër të prokurorit kujdestar, trupi i pajetë i viktimës është dërguar për obduksion në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë, ndërsa veprimet e mëtejshme hetimore do të zhvillohen në koordinim të ngushtë me Prokurorinë e Shtetit për të zbardhur të gjitha rrethanat e rastit.
Ndryshe, siç raportoi ekskluzivisht Sinjali, 26-vjeçarja Blerta Hyseni ishte ndaluar mbrëmë rreth orës 18:00 në Vërmicë teksa udhëtonte me një veturë të tipit BMW së bashku me të dyshuarin Adnan Podvorica. Gjatë kontrollit, policia gjeti dhe sekuestroi 105.7 gramë kokainë të dyshuar dhe dy fishekë.
Gjatë procedurave të intervistimit, gjendja shëndetësore e të resë ishte përkeqësuar rëndë dhe pavarësisht ndërhyrjes mjekësore në Spitalin Rajonal të Prizrenit, ajo ka ndërruar jetë rreth orës 01:30 pas mesnatës. Ndërkohë, të dyshuarit tjetër i është caktuar masa e ndalimit policor prej 48 orësh.
Personat e arrestuar konsiderohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të vërtetohet me vendim gjyqësor të formës së prerë.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
Burimi: Sinjali





