Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, ka kërkuar që vëmendja e institucioneve të përqendrohet në hartimin e strategjisë që do t’u shërbejë krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në shkallën e apelit në Hagë.
Pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit, Haxhiu ka bërë të ditur se Qeveria e Kosovës ka formuar grupin punues për hartimin e kësaj strategjie, ndërsa ka kërkuar seriozitet dhe profesionalizëm në këtë proces.

“Tashmë Qeveria e Republikës së Kosovës ka formuar grupin punues për hartimin e strategjisë, dhe unë gjithnjë kam kërkuar që e gjithë vëmendja, përqendrimi ynë të zhvendoset pikërisht te kjo strategji, që duhej apo do të duhej të përpilohej në atë mënyrë që t’u shërbejë krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në shkallën e apelit. Pra, kam kërkuar vëmendje, seriozitet, profesionalizëm, që vëmendja dhe puna jonë të zhvendoset pikërisht te kjo strategji”, tha ajo.
Ndërkaq, sa i përket ligjit të kthyer në Kuvend, Haxhiu ka bërë të ditur se ai i është adresuar Komisionit për Legjislacion, i cili ka katër javë kohë për ta trajtuar.
Ajo ka thënë se do të takohet me kryetarin e këtij komisioni për të diskutuar qëndrimet lidhur me procedurën që duhet ndjekur, pasi, sipas saj, ekzistojnë dy interpretime nga juristët për mundësinë e ndryshimit të ligjit pas kthimit në lexim të tretë.
“Sa i përket ligjit, tashmë e kam adresuar kthimin e ligjit te Komisioni për Legjislacion. Komisioni për Legjislacion ka katër javë kohë; unë do të takoj sot kryetarin e Komisionit për Legjislacion, për të parë qëndrimet që Komisioni për Legjislacion i ka në këtë drejtim. Më lejoni që t’ju informoj që ka dy interpretime nga juristët; pra, një grup i juristëve që thekson se pas kthimit të ligjit në lexim të tretë, ky vendim mbetet vetëm ta votojë ose të mos e votojë. Dhe grupi tjetër është që mund të bëjë ndryshime në këtë drejtim. I mbetet Komisionit për Legjislacion që ta trajtojë këtë çështje. Ju e dini që unë kam pasur një deklarim për këtë, por deklarimi im është i bazuar vetëm në një gjykim të Gjykatës Kushtetuese, në rastin e presidentes Atifete Jahjaga”, tha ajo./EO
Burimi: Dukagjini




