Një kontejner ku ruheshin veglat e punës është bërë cak i hajnave në fshatin Joshevik të Zveçanit. Persona ende të paidentifikuar dyshohet se kanë depërtuar me forcë brenda tij, duke marrë katër sharra motorike, dhjetëra zinxhirë dhe pajisje të tjera, me vlerë të përgjithshme rreth 2.600 euro, mëson Gazeta Sinjali.

Sipas burimeve të Sinjalit, vjedhja dyshohet se ka ndodhur ndërmjet pasdites së 19 nëntorit dhe paradites së 20 nëntorit.
Rasti është denoncuar nga Marko Petroviq, rreth 40 vjeç, i cili të premten, rreth orës 11:00, ka kontaktuar Policinë dhe ka raportuar se kontejneri ku mbante pajisjet e punës ishte hapur me forcë.
Sipas deklarimit të tij, nga kontejneri janë marrë katër sharra motorike për prerjen e drunjve, 30 palë zinxhirë për sharra motorike dhe një pajisje me bateri.
Vlera e përgjithshme e dëmit, sipas ankuesit, arrin në rreth 2.600 euro.
Pas raportimit, për rastin është njoftuar Prokurori i Shtetit dhe janë iniciuar hetimet për veprën penale “Vjedhja e rëndë”.
Personi apo personat që dyshohet se kanë kryer vjedhjen ende nuk janë identifikuar.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
Burimi: Sinjali





