Aktori i njohur Timothée Chalamet ka folur për mundësinë e realizimit të një vazhdimi të filmit “Call Me by Your Name”, duke lënë të hapur mundësinë e rikthimit në rolin që e bëri të famshëm në vitin 2017. Megjithatë, ai pranoi se një projekt i tillë aktualisht duket pak i mundshëm.

Chalamet, 30 vjeç, u bë i njohur ndërkombëtarisht përmes interpretimit të personazhit Elio Perlman në filmin me regji të Luca Guadagninos, i cili u bazua në romanin me të njëjtin titull të shkrimtarit Andre Aciman.
Në një intervistë për revistën Vanity Fair, aktori u pyet nëse do të pranonte të rikthehej në një vazhdim të filmit, i cili mund të frymëzohej nga romani “Find Me”, i publikuar në vitin 2019.
“Për këtë pyetje, nuk duhet thënë kurrë kurrë. Por jam rritur me bindjen se nuk duhet t’u rikthehesh lehtësisht projekteve që kanë një rëndësi kaq të veçantë për njerëzit”, u shpreh Chalamet, transmeton Femalefirst.
Ndonëse nuk dha ndonjë premtim për vazhdimin e filmit, aktori u shpreh i gatshëm të bashkëpunonte sërish me regjisorin Luca Guadagnino.
“Të punoja përsëri me Lucan? Menjëherë, pa u menduar dy herë”, tha ai.
Gjatë intervistës, Chalamet zbuloi gjithashtu se është duke planifikuar një projekt të ri me një regjisor të njohur, por nuk deshi të zbulonte emrin apo detaje të tjera.
“Kam një projekt me një regjisor të jashtëzakonshëm. Është një zgjedhje kaq e natyrshme, saqë, nëse bëhet publik, besoj se do ta kuptoni menjëherë pse”, tregoi aktori.
Filmi “Call Me by Your Name” pati sukses ndërkombëtar dhe u vlerësua nga kritika, ndërsa interpretimi i Chalamet i siguroi atij nominimin e parë për çmimin Oscar.
Mundësia e realizimit të një vazhdimi ishte diskutuar edhe më herët, pasi Guadagnino kishte shprehur interesim për përshtatjen në ekran të romanit “Find Me”. Megjithatë, projekti mbeti në pasiguri pas polemikave që përfshinë aktorin Armie Hammer në vitin 2021, pas akuzave për sulm seksual. Hammer u hetua, por ndaj tij nuk u ngrit asnjë akuzë penale.
Pavarësisht pasigurisë rreth vazhdimit të filmit, Chalamet dhe Guadagnino kanë ruajtur një marrëdhënie të afërt dhe kanë shprehur gatishmëri për të bashkëpunuar sërish.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
Burimi: Sinjali





