Zvicra vazhdon të jetë një destinacion tërheqës për shumë gjermanë, falë pagave të larta, mundësive të punësimit dhe cilësisë së jetesës. Megjithatë, zhvendosja në shtetin helvetik shoqërohet edhe me sfida që lidhen me dallimet kulturore, shpenzimet dhe përshtatjen me mënyrën e jetesës.

Sipërmarrësja dhe konsulentja e komunikimit nga Mynihu, Christine Steinleitner, e cila është zhvendosur në Zvicër, ka ndarë disa këshilla për gjermanët që planifikojnë të emigrojnë në këtë shtet.
Ajo thekson se një nga gjërat e para që duhet marrë parasysh është kostoja e jetesës. Ndonëse pagat në Zvicër janë më të larta se në Gjermani, edhe qiratë, sigurimi shëndetësor dhe shpenzimet e përditshme janë të konsiderueshme.
Për këtë arsye, emigrantët duhet të planifikojnë me kujdes buxhetin përpara se të zhvendosen.
Një tjetër çështje e rëndësishme është sigurimi shëndetësor, pasi sistemi zviceran funksionon ndryshe nga ai gjerman, shkruan mediumi zviceran, Blick.
Të sapoardhurit duhet të informohen për franshizën dhe kushtet e sigurimit, në mënyrë që të shmangin shpenzimet e papritura.
Përshtatja me gjuhën është gjithashtu një nga sfidat kryesore.
Edhe pse gjermanët dhe zviceranët flasin gjermanisht, dialektet zvicerane mund të jenë të vështira për t’u kuptuar, sidomos në bisedat e përditshme.
Mësimi i tyre mund të ndihmojë në komunikim dhe në krijimin e marrëdhënieve shoqërore.
Steinleitner këshillon gjithashtu që emigrantët të tregojnë kujdes në mënyrën e komunikimit.
Në Zvicër, njerëzit shpesh përdorin një stil më të tërthortë dhe më të përmbajtur, ndërsa shprehjet shumë të drejtpërdrejta mund të perceptohen si mungesë mirësjelljeje.
Për ta lehtësuar jetën e përditshme, ajo rekomandon hapjen e një llogarie bankare zvicerane dhe përdorimin e aplikacionit TWINT, i cili mundëson pagesa të shpejta në dyqane, restorante dhe në situata të ndryshme të përditshme.
Një këshillë tjetër praktike lidhet me ujin e pijshëm.
Zvicra ka shumë burime dhe çezma publike me ujë të pijshëm, ndaj përdorimi i një shisheje të ripërdorshme mund të ndihmojë në kursimin e parave dhe reduktimin e plastikës./Telegrafi/





