Kryetari i LSDM-së, Venko Filipce, konfirmoi se Fatmir Bytyqi do të jetë nënkryetari i ri i partisë, në një paraqitje në 4TV, duke folur për përfaqësimin e komuniteteve të ndryshme etnike dhe konceptin e “Një shoqëri për të gjithë”.

“Do të kemi një nënkryetar, Fatmir Bytyqi, i cili është shqiptar”, tha Filipçe, duke theksuar se partia ka edhe një anëtar shqiptar të Bordit Ekzekutiv, si dhe një deputet nga komuniteti vllah.
Ai theksoi se LSDM mbetet e përkushtuar ndaj konceptit “Një shoqëri për të gjithë” dhe se etnia nuk duhet të jetë masë e vlerës dhe aftësive të një personi.
“Pavarësisht nëse je maqedonas, shqiptar apo turk, nuk ka rëndësi. Ajo që ka rëndësi është se çfarë lloj personi je, sa i vlefshëm je, sa i arsimuar je, sa shumë kontribuon në shoqëri”, tha Filipçe.
Duke folur për marrëdhëniet ndëretnike, kreu i LSDM-së tha se maqedonasit dhe shqiptarët nuk janë kombe armike.
“Ne nuk jemi kombe armike, kështu që politika duhet të ndërhyjë, të na qetësojë”, tha ai.
Sipas Filipçes, bashkëjetesa e maqedonasve dhe shqiptarëve në vend mund të jetë një shembull në botë. Ai shtoi se politikat duhet të krijojnë kushte që qytetarët të përparojnë sipas arsimit, njohurive dhe aftësive profesionale.
Si krahasim, ai përmendi Zvicrën, ku, sipas tij, kur fitohet një punë e paguar mirë, kualifikimet dhe njohja e gjuhëve janë të rëndësishme, jo kombësia.
“Kjo është ajo për të cilën unë dhe LSDM po luftojmë”, tha Filipçe.
Kur u pyet për rihapjen e temave të balancuesit, shumicën e Badinterit dhe përdorimin e gjuhës shqipe, ai vlerësoi se këto ishin çështje që më parë ishin mbyllur. Ai shprehu dyshim se kthimi i tyre në debatin politik shërben për të larguar vëmendjen nga problemet e tjera.
“A është logjike të pyesim nëse kjo nuk është e qëllimshme, sepse nuk ka përgjigje për pyetjet e tjera?” tha Filipçe./Telegrafi/





