Një veturë e tipit “VW T-Roc” në vlerë prej 25 mijë eurosh, dhjetëra mijëra euro të dhëna në forma të ndryshme, dyshimet për ndikim në një proces gjyqësor dhe falsifikimi i një raporti të testimit për COVID-19. Këto janë disa nga pretendimet që Prokuroria Themelore në Prishtinë i ka përfshirë në parashtresën për precizimin e provave në çështjen penale ndaj Ardian Krasniqit dhe Lavdim Krasniqit.

Në një dokument prej 15 faqesh, Prokuroria ka paraqitur provat materiale, deklaratat e dëshmitarëve dhe pretendimet për veprimet që, sipas saj, i kanë kryer të pandehurit në bashkëpunim.
Ardian Krasniqi, sipas përshkrimit në dokumentin qw ka siguruar Klan Kosova, ka qenë shofer personal dhe familjar i Lavdim Krasniqit, i cili në atë kohë ushtronte funksionin e drejtorit të Sekretariatit të Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK).
Një pjesë e rëndësishme e pretendimeve lidhet me marrëdhënien e tyre me Bashkim Mullollin.
Dyshimet për para dhe dhurata në këmbim të ndikimit në një proces gjyqësor
Sipas Prokurorisë, që nga janari i vitit 2018 e deri në dhjetor të vitit 2019, Ardian Krasniqi dhe Lavdim Krasniqi, në vazhdimësi dhe në bashkëkryerje, kanë kërkuar dhe pranuar para dhe dhurata nga Bashkim Mullolli.
Në dokument përshkruhen disa takime në lokalin “Sole” në lagjen Dardania, në rrugën “Dragodan”, në qendrën tregtare Grandstore dhe në zyrën e noterit Sefadin Blakaj.
Prokuroria pretendon se këto përfitime janë dhënë me qëllim të ndikimit në vendimmarrjen e personit zyrtar në procesin gjyqësor ndaj Bashkim Mullollit, i dënuar për veprën penale të vrasjes në tentativë.
Sipas parashtresës, Bashkim Mullolli ishte dënuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë me katër vjet e shtatë muaj burgim, ndërsa Gjykata e Apelit ia kishte zvogëluar dënimin në tre vjet e shtatë muaj.
Në mesin e përfitimeve që Prokuroria i përmend është edhe një veturë e tipit “VW T-Roc”, me ngjyrë të bardhë, në vlerë prej 25 mijë eurosh, me tabela regjistrimi 01-706 NQ.
Sipas pretendimit të Prokurorisë, kjo veturë i ishte dhënë Marigonë Berishës, ndërsa përfitimet e tjera, në para dhe dhurata, kishin arritur vlerën prej rreth 40 mijë eurosh.
Prokuroria pretendon se këto veprime ishin ndërmarrë për të ndikuar në vendimmarrjen gjyqësore dhe për të mundësuar uljen e dënimit të Bashkim Mullollit.
Për këto veprime, në dokument përmendet vepra penale e ushtrimit të ndikimit, në bashkëkryerje.
Dëshmitari Bashkim Mullolli: Kam dhënë para disa herë
Një pjesë e konsiderueshme e parashtresës i kushtohet deklaratave të Bashkim Mullollit, i cili është edhe dëshmitar bashkëpunues në këtë çështje.
Në deklarimet e tij në Prokurori, Mullolli ka përshkruar marrëdhëniet me Ardian Krasniqin, duke thënë se ky i fundit ishte shofer i Lavdim Krasniqit dhe se përmes tij kishte komunikuar me drejtorin e Sekretariatit të Këshillit Prokurorial.
Sipas deklaratës së Mullollit, Ardian Krasniqi i kishte kërkuar para në disa raste, duke i thënë se ato duheshin për të ndihmuar në procesin gjyqësor të tij.
Ai ka përmendur shuma prej 2 mijë, 5 mijë dhe 10 mijë eurosh, të cilat, sipas deklarimit të tij, ia kishte dhënë Ardian Krasniqit në takime të ndryshme.
Mullolli ka deklaruar gjithashtu se kishte pasur kërkesa për para edhe për çështje të tjera, përfshirë blerjen e veturës dhe shpenzime të familjes.
Në një pjesë të dëshmisë, ai ka përmendur edhe një raport të testimit për COVID-19, për të cilin pretendon se Ardian Krasniqi ia kishte siguruar me qëllim që t’i mundësohej shtyrja e ekzekutimit të dënimit.
Mullolli ka deklaruar se raporti ishte për testin SARS-CoV-2, me rezultat pozitiv, të datës 19 gusht 2020.
Vetura “T-Roc” dhe paratë e dhëna për të
Në dokument përshkruhet edhe mënyra se si, sipas dëshmisë së Mullollit, ishte realizuar çështja e veturës.
Ai ka deklaruar se vetura e tipit “VW T-Roc” ishte marrë në emër të Marigonë Berishës dhe se për të kishte pasur pagesa e marrëveshje të ndryshme.
Sipas dëshmisë së tij, Ardian Krasniqi i kishte kërkuar para edhe për Marigonën, ndërsa në një rast kishte përmendur shumën prej 14 mijë eurosh.
Mullolli ka deklaruar se një pjesë të parave ia kishte dhënë Ardianit, ndërsa një pjesë tjetër ishte transferuar përmes bankës.
Ai ka përshkruar edhe një marrëdhënie financiare me Lavdim Krasniqin, duke pretenduar se paratë që kishte dhënë në disa raste lidheshin me procesin gjyqësor dhe me kërkesat e Ardian Krasniqit.
Në të njëjtën parashtresë, Prokuroria përmend edhe deklarimet e dëshmitarit Isen Sadiku, i cili ka folur për veturën “T-Roc”.
Sadiku ka deklaruar se e kishte pasur këtë veturë në vitin 2019 dhe se më pas ia kishte dhënë Bashkim Mullollit për një periudhë. Ai ka përmendur edhe një borxh prej rreth 13 mijë eurosh që, sipas tij, kishte mbetur nga marrëdhëniet financiare lidhur me veturën.
Ndërkaq, noteri Sefadin Blakaj ka dhënë shpjegime për kontratën e shitblerjes së veturës dhe procedurat e realizimit të saj.
Sipas deklaratës së tij, në kontratë ishte përfshirë kompania “Te Hysi” SHPK, ndërsa Bashkim Mullolli ishte personi i autorizuar për shitjen. Noteri ka deklaruar se nuk mund të konfirmonte nëse paratë për këtë veturë ishin pranuar në praninë e të pandehurve.
Dyshimet për ndihmën në shmangien e arrestimit të djalit të Bashkim Mullollit
Një tjetër pjesë e rëndësishme e parashtresës qw ka siguruar Klan Kosova lidhet me dyshimet se Lavdim Krasniqi dhe Ardian Krasniqi kishin përdorur pozitën dhe autoritetin zyrtar për ta ndihmuar Bashkim Mullollin në shmangien e arrestimit të djalit të tij, Albi Mullolli.
Sipas Prokurorisë, në shtator të vitit 2020, përmes Ardian Krasniqit, ishte mundësuar që Albi Mullolli të largohej nga territori i Kosovës dhe të udhëtonte drejt Shqipërisë.
Në dokument thuhet se Ardian Krasniqi kishte përdorur veturën zyrtare të Sekretariatit të Këshillit Prokurorial të Kosovës për ta transportuar Bashkim Mullollin dhe familjen e tij drejt Shqipërisë, duke kaluar përmes pikës kufitare në Morinë.
Prokuroria pretendon se udhëtimi ishte organizuar në mënyrë të tillë që të shmangeshin kontrollet kufitare dhe mundësia e arrestimit të Albi Mullollit.
Për këtë çështje, Prokuroria i referohet edhe deklaratës së dëshmitarit Albi Mullolli, i cili ka përshkruar udhëtimin me veturën zyrtare.
Në parashtresë përmendet edhe një bisedë mes Lavdim Krasniqit dhe Bashkim Mullollit, e datës 26 shkurt 2021, si dhe komunikimet në aplikacionet WhatsApp dhe Messenger.
Prokuroria i konsideron këto komunikime dhe incizimet si prova që dëshmojnë përdorimin e veturës zyrtare dhe përfshirjen e të pandehurve në këtë veprim.
Për këto veprime, Lavdim Krasniqi dhe Ardian Krasniqi akuzohen për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar, në bashkëkryerje.
Raporti për COVID-19: Prokuroria dyshon për falsifikim të dokumentit
Një tjetër dyshim penal i përfshirë në parashtresë lidhet me raportin e testimit për COVID-19, të datës 19 gusht 2020.
Sipas Prokurorisë, Ardian Krasniqi kishte përpiluar ose siguruar një dokument publik të falsifikuar, me qëllim që ai të përdorej si dokument origjinal.
Raporti kishte të bënte me testimin mikrobiologjik të Bashkim Mullollit, me numër identifikues 753,131, ku ishte shënuar rezultati pozitiv për SARS-CoV-2.
Prokuroria pretendon se raporti nuk figuron në databazën e Departamentit të Mikrobiologjisë të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës dhe se nuk ishte lëshuar nga ky departament.
Për ta mbështetur këtë pretendim, Prokuroria i referohet deklaratës së Zanë Kaqaniku Devës, specialiste e mikrobiologjisë në IKSHPK.
Ajo ka shpjeguar mënyrën se si regjistrohen pacientët, si gjenerohen raportet e testimit dhe si ruhen të dhënat në sistemin elektronik “Medlis”.
Sipas deklaratës së saj, raporti me numër 753,131, në emër të Bashkim Mullollit, nuk figuron në databazën e Departamentit të Mikrobiologjisë.
Prokuroria i referohet edhe një shkrese të datës 13 prill 2021, të pranuar nga Ministria e Shëndetësisë dhe IKSHPK-ja, e cila, sipas parashtresës, konfirmon se raporti nuk ishte lëshuar nga institucioni.
Për këtë veprim, Ardian Krasniqi ngarkohet me veprën penale të falsifikimit të dokumenteve.
Dëshmitarët dhe provat materiale
Në parashtresë, Prokuroria ka propozuar administrimin e deklaratave të 13 dëshmitarëve, në mesin e tyre Bashkim Mullolli, Albi Mullolli, Beqir Dauti, Fetah Salihu, Bajram Lumi, Isen Sadiku, Blerim Potera, Fahri Kajtazi, Sefadin Blakaj, Burim Beha, Era Shala, Leonita Devaja dhe Ismail Haliti.
Provat materiale përfshijnë:
Videoincizime të kalimit kufitar të Albi Mullollit me Ardian Krasniqin.
Videoincizimin e udhëtimit të Bashkim Mullollit me veturë zyrtare në aeroportin e Maqedonisë.
Transkriptin e bisedës mes Lavdim Krasniqit dhe Bashkim Mullollit, të datës 26 shkurt 2021.
Komunikimet në WhatsApp dhe Messenger.
Dokumentet dhe kallëzimin penal lidhur me dyshimet për falsifikimin e raportit për COVID-19.
Aktakuzën ndaj personave të tjerë të përmendur në dokument.
Raportin financiar.
Ardian Krasniqi mohon akuzat, por pranon se ka marrë para hua
Në deklaratën e tij të dhënë në polici dhe Prokurori, Ardian Krasniqi i ka mohuar pretendimet për kryerjen e veprave penale.
Ai ka deklaruar se që nga viti 2017 kishte punuar si shofer në Këshillin Prokurorial dhe se me Bashkim Mullollin njihej përmes Lavdim Krasniqit.
Sa i përket marrëdhënieve financiare, Krasniqi ka pranuar se kishte marrë disa herë para hua nga Bashkim Mullolli, por ka mohuar se ato kishin lidhje me ndonjë ndërhyrje në procesin gjyqësor.
Në deklaratën e tij, ai ka përmendur se kishte marrë dy herë nga 5 mijë euro dhe një herë 350 euro, ndërsa ka deklaruar se në momentin e dhënies së dëshmisë ende kishte një borxh prej 12 mijë eurosh ndaj Mullollit.
Ai ka pranuar gjithashtu se kishte marrë rreth 2 mijë euro nga Blerim Potera, por ka mohuar pretendimin se Bashkim Mullolli ia kishte dhënë ato para përmes tij.
Sa i përket veturës “T-Roc”, Krasniqi ka deklaruar se Bashkim Mullolli ishte i interesuar për ta blerë atë dhe se kishte shkuar bashkë me Marigonën për të parë veturën.
Ai ka mohuar se kishte ndërmarrë veprime për ta ndihmuar djalin e Mullollit që të arratisej nga Kosova, si dhe ka mohuar se kishte siguruar raport të falsifikuar për COVID-19.
Çfarë kërkon Prokuroria?
Në përfundim të parashtresës, Prokuroria ka paraqitur provat që, sipas saj, mbështesin pretendimet për veprat penale të ushtrimit të ndikimit, falsifikimit të dokumenteve dhe keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar.
Prokuroria pretendon se Ardian Krasniqi dhe Lavdim Krasniqi kanë vepruar në bashkëkryerje për të përfituar para dhe dhurata, për të ndikuar në një proces gjyqësor dhe për të ndihmuar Bashkim Mullollin në shmangien e ekzekutimit të dënimit.
Ndërsa për Ardian Krasniqin, Prokuroria veçon edhe dyshimet për falsifikimin e raportit të testimit për COVID-19.
Të gjitha këto janë pretendime të organit të akuzës dhe duhet të vërtetohen në procedurë gjyqësore. Ardian Krasniqi, në deklaratën e tij, i ka mohuar veprat penale për të cilat ngarkohet.
Blerta Ahmeti





