Ministri irlandez për Çështjet Evropiane, Thomas Byrne, ka thënë se fakti që disa shtete anëtare të Bashkimit Evropian nuk e njohin Kosovën përbën sfidë për vendin.
Duke folur të hënën në Forumin e Zgjerimit, Byrne ka thënë se kjo nuk është një çështje që mund të tejkalohet lehtë.

“Ka një numër shtetesh anëtare, disa prej të cilave janë të përfaqësuara edhe këtu, që nuk e njohin Kosovën. Kjo përbën një sfidë për Kosovën dhe nuk është diçka që mund ta tejkalojmë shumë lehtë”, ka deklaruar Byrne.
Ai ka folur edhe për procesin e integrimit evropian të vendeve të Ballkanit Perëndimor, duke theksuar se secili prej tyre ka çështje të ndryshme që duhet të trajtohen dhe se BE-ja duhet t’u ofrojë ndihmë aq sa ka mundësi.
Ai ka theksuar gjithashtu rëndësinë e pajtimit në Ballkan, duke thënë se, pavarësisht dekadave të kaluara nga konfliktet, plagët dhe dhimbja vazhdojnë të jenë të pranishme.
“Anëtarësimi në Bashkimin Evropian është thelbësor për këtë proces”, ka deklaruar Byrne.
Sa i përket Serbisë, Byrne ka thënë se ajo duhet t’i përafrojë politikat e saj me acquis-in e BE-së, veçanërisht në politikën e jashtme dhe në fushat themelore.
Ndërkaq, për Malin e Zi, ai ka thënë se përmbyllja e të gjithë kapitujve të negociatave është detyra e menjëhershme e presidencës irlandeze.
Ai ka vlerësuar punën e shteteve anëtare dhe të Qeverisë së Malit të Zi, duke theksuar se nuk ka rrugë të shkurtra drejt anëtarësimit dhe se vendi duhet t’i përmbushë kushtet e përcaktuara dhe të miratojë acquis-in e BE-së.
Byrne ka thënë se përmbyllja e negociatave me Malin e Zi, nënshkrimi i traktatit të anëtarësimit dhe nisja e procesit të ratifikimit do të dërgonin një sinjal të fuqishëm për rajonin se zgjerimi i BE-së është një proces real.
Burimi: RTKLive





