E drejta për t’u përgjigjur: ndërmjet shpejtësisë së lajmit dhe përgjegjësisë së medias

E drejta për t’u përgjigjur: ndërmjet shpejtësisë së lajmit dhe përgjegjësisë së medias

E drejta për t’u përgjigjur: ndërmjet shpejtësisë së lajmit dhe përgjegjësisë së medias

Gazetarët e kanë obligim që, në përputhje me Kodin e Mediave të Shkruara të Kosovës, t’u japin hapësirë palëve të përfshira – pa dallim dhe në përputhje me parimet e korrektësisë e paanshmërisë. E drejta për t’u përgjigjur nuk mbron vetëm individin apo organizatën për të cilën raportohet. Ajo mbron edhe të drejtën e publikut për informim të saktë, të drejtë dhe të paanshëm.

Sponsor 3M Express

Në një kohë kur numri i mediave online dhe përmbajtjeve në rrjete sociale është gjithnjë e më i madh, lajmet publikohen në kohë reale dhe konkurrenca për klikime sa vjen e rritet. Por, respektimi i standardeve etike mbetet një nga sfidat kryesore të gazetarisë.

Kjo është veçanërisht e rëndësishme në trajtimin e temave të ndjeshme, si raportimi i së vërtetës, nxitja dhe gjuha e urrejtjes, aksidentet, incidentet, tragjeditë personale, raportimi për të miturit, vetëvrasjet dhe çështje të tjera që kërkojnë kujdes të veçantë profesional.

Si profesionistë të medias, gazetarët e kanë obligim që, në përputhje me Kodin e Mediave të Shkruara të Kosovës, t’u japin hapësirë palëve të përfshira – pa dallim dhe në përputhje me parimet e korrektësisë e paanshmërisë. Këtë e përcakton Kapitulli IV i Kodit, që trajton të drejtën për t’u përgjigjur, e cila nuk është favor që media ia bën dikujt, por detyrim profesional dhe etik.

Kodi i Mediave të Shkruara të Kosovës, nëpërmjet Kapitullit IV, përcakton qartë përgjegjësitë e gazetarëve, redaktorëve, gazetave, portaleve dhe agjencive të lajmeve për publikimin e reagimeve dhe demanteve, si dhe për respektimin e së drejtës për përgjigje. Por, sa po zbatohet në praktikë ky standard dhe a po e trajtojnë mediat si përgjegjësi profesionale apo thjesht si formalitet?

E drejta për përgjigje dhe detyrimi për t’i dëgjuar palët

Pika e parë e Kapitullit IV përcakton se mediat janë të obliguara të publikojnë reagime dhe/ose demante kur kanë publikuar informacione të pasakta për një individ apo organizatë.

Ndërkaq, pika e dytë kërkon që e drejta për përgjigje të mundësohet kur kjo është e nevojshme për korrektësi dhe paanshmëri, duke parashikuar edhe mundësinë e publikimit të menjëhershëm të reagimit.

Kjo do të thotë se përgjegjësia e medias nuk përfundon me publikimin e lajmit. Nëse një informacion rezulton i pasaktë, redaksia ka detyrim ta trajtojë reagimin apo demantin në përputhje me Kodin. Kjo duhet të jetë praktikë e vazhdueshme e çdo medie profesionale.

Një nga dispozitat më të rëndësishme është pika e tretë, e cila përcakton se gjatë raportimit dhe komentimit të ngjarjeve kundërthënëse, mediat duhet t’i dëgjojnë dhe t’i përfaqësojnë të gjitha palët e përfshira.

“Gazetari, redaktori dhe media duhet të ndërmarrin çdo veprim të mundshëm për të kontaktuar palët, përfshirë por duke mos u kufizuar në telefonata, mesazhe telefonike, mesazhe në rrjetet sociale, email, letër nëpërmjet postës, kërkesë për takim”, thuhet në këtë pikë.

Pra, nuk mjafton vetëm një përpjekje formale për kontaktim. Qëllimi duhet të jetë sigurimi i një përgjigjeje reale dhe paraqitja e qëndrimeve relevante për publikun. Një mesazh i dërguar pak minuta para publikimit të një artikulli me akuza serioze, pa i dhënë palës kohë të arsyeshme për përgjigje, ngre pikëpyetje për respektimin e këtij standardi. Megjithatë, e drejta për përgjigje nuk nënkupton që media duhet të presë pafundësisht apo t’i lejojë palët ta pengojnë publikimin e informacioneve me interes publik.

Çfarë ndodh kur pala nuk përgjigjet?

Pika e katërt e Kodit përcakton se, nëse njëra palë refuzon t’i përgjigjet gazetarit, publikimi duhet ta theksojë këtë refuzim, si dhe përpjekjet që janë ndërmarrë për ta siguruar përgjigjen.

Këtu është i rëndësishëm dallimi ndërmjet refuzimit dhe mungesës së përgjigjes. Një person që deklaron se nuk dëshiron të komentojë ka refuzuar të përgjigjet, ndërsa një person që nuk ka kthyer përgjigje deri në momentin e publikimit, nuk mund të paraqitet automatikisht si refuzues. Prandaj, transparenca dhe dokumentimi i përpjekjeve për kontaktim janë pjesë e përgjegjësisë profesionale të gazetarit.

Po ashtu, pika e pestë kërkon që personi që intervistohet të informohet se për cilën media po flet dhe në çfarë konteksti do të përdoret deklarata e tij. Këto nuk janë vetëm procedura teknike, por standarde që mbrojnë korrektësinë e raportimit dhe besueshmërinë e medias

Besueshmëria ndërtohet duke respektuar standardet

Në epokën e rrjeteve sociale, të Inteligjencës Artificiale, përmbajtjeve të manipuluara nëpërmjet teknologjisë “deepfake” dhe lajmeve të rreme, një informacion i pasaktë mund të shpërndahet te mijëra njerëz brenda pak minutash, ndërsa një demant apo korrigjim i mëvonshëm mund të mos arrijë te i njëjti publik. Pikërisht për këtë arsye respektimi i së drejtës për përgjigje duhet të fillojë para publikimit, nëpërmjet verifikimit të informacionit dhe përpjekjeve serioze për t’i dëgjuar palët.

Kjo e drejtë nuk duhet të përdoret nga individët apo institucionet për të penguar gazetarinë kritike, por as pavarësia editoriale nuk mund të shërbejë si arsyetim për shmangien e detyrimeve etike.

Në fund, e drejta për t’u përgjigjur nuk mbron vetëm individin apo organizatën për të cilën raportohet. Ajo mbron edhe të drejtën e publikut për informim të saktë, të drejtë dhe të paanshëm. Gazetaria që kërkon llogaridhënie nga të tjerët duhet të dëshmojë të njëjtën përgjegjësi edhe te vetja. Sepse e drejta për t’u përgjigjur nuk është favor, por standard që e dallon gazetarinë profesionale nga publikimi i njëanshëm i informacionit.

(Autori është kryeredaktor i medias online Telegrafi. Artikulli është shkruar për KMShK-në në kuadër të projektit të UNESCO-s “Ndërtimi i besimit në media në Evropën Juglindore: Mbështetje për gazetarinë si e mirë publike”, i financuar nga Bashkimi Evropian. Pikëpamjet e shprehura në këtë artikull janë ekskluzivisht të KMShK-së dhe nuk pasqyrojnë domosdoshmërisht qëndrimet e UNESCO-s dhe të Bashkimit Evropian)

Lexo edhe

Dini thyen heshtjen për largimin e Behares nga BBVK

Dini thyen heshtjen për largimin e Behares nga BBVK

Rama: Nuk ka ishull që do i shitet Kushnerit, gënjeshtër e medias globale

Rama: Nuk ka ishull që do i shitet Kushnerit, gënjeshtër e medias globale

“Shqipëria nikoqirja e radhës së samitit të NATO-s”, Rama: Ende nuk e kemi një datë, por patjetër do të mbahet në Tiranë

“Shqipëria nikoqirja e radhës së samitit të NATO-s”, Rama: Ende nuk e kemi një datë, por patjetër do të mbahet në Tiranë