Agim Bytyqi, ish-shef i Zyrës për Menaxhimin e Lëndëve në Gjykatën Themelore në Prishtinë, është ndaluar për 48 orë nën dyshimin për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar.

Bytyqi, i cili sipas informacioneve të Gazetës Sinjali është i suspenduar prej më shumë se një viti në lidhje me një rast tjetër, dyshohet se ka krijuar dosje fiktive për t’i mundësuar një personi regjistrimin e një prone banesore në Prishtinë.
Sipas njoftimit të Prokurorisë Themelore në Prishtinë, arrestimi është realizuar të hënën, më 16 nëntor 2026, pas hetimeve disamujore të zhvilluara në bashkëpunim me Drejtorinë për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit të Policisë së Kosovës.
Dyshimet për falsifikimin e dokumenteve
Sipas Prokurorisë, Bytyqi dyshohet se, duke shfrytëzuar pozitën zyrtare dhe me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm pasuror për vete dhe persona të tjerë, ka krijuar dosje fiktive dhe ka vendosur vulën e vërtetësisë mbi kopjen e një dokumenti të falsifikuar, të titulluar “Kontratë për shitblerje”.
Përmes këtyre veprimeve, sipas organit të akuzës, dyshohet se i është mundësuar shtetasit të Serbisë, M.B., regjistrimi i një prone banesore në emrin e tij në Zyrën Kadastrale në Prishtinë.
Prona në fjalë ka sipërfaqe prej 55.89 metrash katrorë dhe ndodhet në zonën kadastrale të Matiçanit.
Personi me inicialet M.B., sipas Prokurorisë, aktualisht ndodhet në arrati.
Prokuroria paralajmëron kërkesë për paraburgim
Agim Bytyqi dyshohet për kryerjen e veprës penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”, nga neni 414, paragrafi 1 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Prokuroria ka paralajmëruar se brenda afatit ligjor do të paraqesë kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj tij.
Ndërkohë, mbetet të sqarohet nëse rasti aktual ka ndonjë ndërlidhje me procedurën tjetër për të cilën, sipas informacioneve të Sinjalit, Bytyqi është suspenduar prej më shumë se një viti.
Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të vërtetohet me vendim gjyqësor të formës së prerë.
/GazetaSinjali/
Burimi: Sinjali





