Një 31-vjeçar, i cili kërkohej me urdhërarrest nga dy gjykata të Kosovës, ka përfunduar në duart e Policisë pasi është ndaluar në fshatin Gumnasellë të Lipjanit. Ai është shoqëruar në mbajtje, ndërsa për mëngjesin e sotëm është urdhëruar paraqitja e tij para gjykatës, mëson Gazeta Sinjali.

Sipas informacioneve që ka siguruar Sinjali, bëhet fjalë për Enis Valir Halilin (31), i cili është ndaluar të hënën, më 9 nëntor.
Gjatë verifikimit ka rezultuar se ndaj tij ishin aktive dy urdhërarreste, njëri i lëshuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë, Dega në Lipjan dhe tjetri nga Gjykata Themelore në Pejë, Dega në Klinë.
Rreth orës 19:40, për ndalimin e tij është njoftuar njësia përkatëse policore, ndërsa më vonë, rreth orës 22:30, zyrtarët e Nënstacionit Policor në Magurë e kanë shoqëruar 31-vjeçarin në mbajtje.
Me urdhër të gjykatës, ai është mbajtur deri në mëngjesin e së martës, më 10 nëntor, kur është caktuar të paraqitet para gjykatës në orën 09:00.
Shënim: Personat e përmendur në këtë lajm konsiderohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të vërtetohet me vendim të formës së prerë të gjykatës.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
Burimi: Sinjali




