Zelensky: Nëse Ukraina heq dorë nga Donbasi, Putini do të sulmojë sërish pas një, dy apo pesë vjetësh

Zelensky: Nëse Ukraina heq dorë nga Donbasi, Putini do të sulmojë sërish pas një, dy apo pesë vjetësh

Zelensky: Nëse Ukraina heq dorë nga Donbasi, Putini do të sulmojë sërish pas një, dy apo pesë vjetësh

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka paralajmëruar se dorëzimi i Donbasit nuk do të sillte paqe të qëndrueshme, pasi sipas tij, presidenti rus Vladimir Putin vetëm do ta ndërpriste përkohësisht luftën për të nisur një ofensivë të re në të ardhmen.

Sponsor 3M Express

“Askush nuk beson se Putini do të ndalet nëse ne heqim dorë nga Donbasi. Ai vetëm do të bëjë një pauzë, për t’u kthyer pas një, dy apo pesë vjetësh. Dhe kush do të jetë fajtor atëherë?”, deklaroi Zelensky në një intervistë për transmetuesin danez DR Nyheder, pjesë të së cilës i publikoi në Telegram.

Ai theksoi se veprimet e mëparshme të Rusisë tregojnë se kërkesat territoriale të Moskës nuk duhet të merren si garanci për qëllimet e saj të vërteta. Si shembull, Zelensky kujtoi se Putini kishte folur për Donbasin, por gjatë pushtimit të plotë kishte urdhëruar gjithashtu avancimin drejt Kievit.

“Putini fliste për Donbasin, por vendosi të pushtonte Kievin, kryeqytetin tonë. Fjalët e tij kishin të bënin me Donbasin, por realiteti ishte Kievi”, tha presidenti ukrainas, transmeton Telegrafi.

Ai përmendi gjithashtu vrasjet dhe torturimin e civilëve në Bucha, në rajonin e Kievit, dhe në territore të tjera të pushtuara nga Rusia. Sipas tij, pretendimi i Moskës se synonte mbrojtjen e popullsisë rusishtfolëse nuk përputhej me veprimet e forcave ruse në terren.

Zelensky vuri në pikëpyetje edhe garancitë e sigurisë që do të merrte Ukraina në këmbim të lëshimeve territoriale. Ai tregoi se, kur zyrtarët amerikanë kishin ngritur mundësinë e shkëmbimit të Donbasit me garanci sigurie, kishte kërkuar të dinte nëse bëhej fjalë për anëtarësimin e Ukrainës në NATO.

“Sipas tyre, jo NATO, por diçka e ngjashme me NATO-n”, tha Zelensky, duke treguar përgjigjen e zyrtarëve amerikanë.

“E ngjashme? Por sigurisht që nuk dëshironi që përgjigjja për Donbasin të jetë ‘diçka e ngjashme’. Ju dëshironi një përgjigje të qartë për Donbasin. Ky është qëllimi juaj. Dhe ky është edhe qëllimi i Putinit sot”, shtoi ai.

Zelensky paralajmëron Evropën për pasojat e ndërprerjes së ndihmës

Presidenti ukrainas paralajmëroi se ndërprerja e mbështetjes ushtarake dhe financiare evropiane për Ukrainën do ta rrezikonte sigurinë e gjithë kontinentit. Sipas tij, një Ukrainë e fortë është thelbësore për mbrojtjen e Evropës.

“Një qëndrim skeptik ndaj ndihmës për Ukrainën nuk është në interesin e asnjë vendi evropian, sepse në të vërtetë çështja ka të bëjë me Rusinë. Nga një këndvështrim pragmatik, një Ukrainë e fortë është e rëndësishme, madje e domosdoshme”, deklaroi ai.

Zelensky përshkroi dy skenarë të mundshëm në rast se Evropa do ta ndërpriste ndihmën për Kievin.

Në skenarin që ai e cilësoi si më të butë, Rusia do t’i intensifikonte sulmet hibride ndaj vendeve evropiane, përfshirë Moldavinë, Rumaninë, Bullgarinë, Gjermaninë, Finlandën dhe Danimarkën.

Ndërsa në një skenar më të rrezikshëm, sipas tij, forcat ruse mund të përparonin më tej drejt Evropës, ndërkohë që Moska do të përpiqej të zgjeronte ndikimin mbi ish-republikat sovjetike, përfshirë shtetet baltike dhe Moldavinë.

Ai paralajmëroi gjithashtu se Rusia mund të kërcënonte sigurinë detare duke bllokuar Detin Baltik, ashtu siç ka vepruar në Detin e Zi.

Armëpushimi përgjatë vijës aktuale të frontit, rruga më e shpejtë drejt paqes

Zelensky tha se mënyra më e shpejtë për t’i dhënë fund luftës është ndalimi i luftimeve përgjatë vijës aktuale të kontaktit, vendosja e një armëpushimi dhe kalimi në negociata diplomatike.

“Rruga më e shpejtë për t’i dhënë fund luftës së Rusisë është të mbajmë pozicionet aktuale dhe të kalojmë drejt negociatave. Pika vendimtare është vendimi për të ndalur pikërisht aty ku ndodhemi, për të zbatuar armëpushimin dhe për të kaluar në procesin diplomatik”, u shpreh ai.

Sipas presidentit ukrainas, negociatat mund të zgjasin me muaj apo edhe më shumë, por një armëpushim do të ndalte humbjen e jetëve, do të mundësonte uljen e mobilizimit dhe do t’i jepte ekonomisë ukrainase mundësinë të rikthehej në funksionimin normal.

Ai pranoi se një marrëveshje e tillë do të ngrinte shumë çështje për t’u zgjidhur, përfshirë përcaktimin e vijës së kontaktit, funksionimin e një misioni monitorues, zonat që mund të demilitarizoheshin dhe financimin e rindërtimit të Ukrainës.

Megjithatë, sipas tij, armëpushimi është formati që mundëson ndalimin e luftimeve.

Zelensky paralajmëroi se Rusia mund ta refuzojë një armëpushim të menjëhershëm, duke këmbëngulur fillimisht në negociimin e një marrëveshjeje më të gjerë, që do të përfshinte çështje të shumta.

“Nëse Putini e refuzon armëpushimin dhe thotë: ‘Jo, dua një plan afatgjatë që përfshin çështje të ndryshme, komplekse dhe të ndjeshme, dhe vetëm pasi ta nënshkruajmë këtë plan do ta ndalim luftën’, kjo thjesht do të thotë se ai nuk dëshiron ta ndalë luftën”, deklaroi presidenti ukrainas.

Ndërkohë, Ukraina dhe Rusia kanë shfaqur privatisht njëfarë gatishmërie për kompromis lidhur me mundësinë e një shkëmbimi territorial, përpara bisedimeve të paqes të ndërmjetësuara nga SHBA-ja në Abu Dhabi. Kështu raportoi Reuters, duke cituar një zyrtar amerikan.

Megjithatë, sipas të njëjtit burim, çdo marrëveshje për territoret pritet të trajtohet në fazat e fundit të negociatave, pasi të jenë zgjidhur çështjet e tjera.

Ukraina vazhdon të kundërshtojë kërkesën e Rusisë për kontrollin e plotë të Donbasit, ndërsa Moska nuk ka hequr dorë nga pretendimet e saj territoriale.

Zelensky ka deklaruar se është i gatshëm të takohet drejtpërdrejt me Putinin për të zgjidhur çështjet e mbetura pezull, por ka këmbëngulur se Ukraina nuk do të dorëzojë territore dhe nuk do ta njohë Krimenë si pjesë të Rusisë.

Ndërkaq, përfaqësuesi i përhershëm i Ukrainës në OKB, Andriy Melnyk, ka thënë se një takim i drejtpërdrejtë mes dy presidentëve mund të jetë i nevojshëm për të arritur një përparim politik. Ai shtoi se Zelensky është i gatshëm të takohet me Putinin kudo, përveçse në Moskë. /Telegrafi/

Lexo edhe

Zhduket gjatë natës 15-vjeçarja në Deçan, Policia e gjen në orët e hershme të mëngjesit dhe e dërgon në Emergjencë

Zhduket gjatë natës 15-vjeçarja në Deçan, Policia e gjen në orët e hershme të mëngjesit dhe e dërgon në Emergjencë

Ekskluzive | “Mos vozit shpejt se po m’i shkel qentë” – ky është 19-vjeçari që nxori armën dhe shtiu pas përplasjes me dy persona në Podujevë

Ekskluzive | “Mos vozit shpejt se po m’i shkel qentë” – ky është 19-vjeçari që nxori armën dhe shtiu pas përplasjes me dy persona në Podujevë

Nuk është thjesht uri! Pse trupi ju kërkon ushqim pikërisht para gjumit?

Nuk është thjesht uri! Pse trupi ju kërkon ushqim pikërisht para gjumit?

Zelensky: Nëse Ukraina heq dorë nga Donbasi, Putini do të sulmojë sërish pas një, dy apo pesë vjetësh | Momenti