Një dron i dyshuar rus ka shkelur për disa minuta hapësirën ajrore të Polonisë, gjatë sulmeve të Rusisë ndaj Ukrainës, duke rritur shqetësimet për përhapjen e konfliktit në territorin e vendeve anëtare të NATO-s.

Sipas autoriteteve polake, mjeti fluturues hyri në hapësirën ajrore të vendit gjatë natës së të hënës, në kohën kur Rusia po kryente sulme në pjesën perëndimore të Ukrainës. Droni, për të cilin dyshohet se ishte pajisur me mjete vëzhgimi, qëndroi rreth tetë minuta mbi territorin polak, para se të ndryshonte drejtim dhe të kthehej në Ukrainë.
Autoritetet polake e kanë cilësuar incidentin si një veprim të qëllimshëm të Moskës. Zëvendësministri i Mbrojtjes i Polonisë, Paweł Zalewski, deklaroi për radion RMF24 se ushtria kishte vendosur të mos e rrëzonte dronin, për shkak të rrezikut që mbetjet e tij mund të shkaktonin dëme në zonat e banuara.
Gjatë incidentit, ushtria polake aktivizoi forcat dhe sistemet e mbrojtjes ajrore, ndërsa droni u monitorua vazhdimisht përmes radarëve ushtarakë. Edhe pse ishte dhënë autorizimi për rrëzimin e tij, ky vendim u ndryshua pasi mjeti fluturues ndërroi drejtim dhe u largua në drejtim të lindjes.
Ngjarja ndodhi vetëm disa orë pasi NATO kishte zhvilluar konsultime urgjente lidhur me një shkelje të mëparshme të hapësirës ajrore të Polonisë. Në kuadër të masave për forcimin e sigurisë, Aleanca ka autorizuar edhe dislokimin në Poloni të një avioni AWACS, i pajisur me sisteme të avancuara për paralajmërimin e hershëm dhe monitorimin e hapësirës ajrore.
Shkelja e fundit vjen vetëm pak ditë pasi tri raketa lundruese ruse ranë në territorin polak gjatë një sulmi të gjerë ndaj Ukrainës. Këto zhvillime kanë shtuar shqetësimet në Varshavë dhe në vendet e tjera të krahut lindor të NATO-s për mundësinë e përhapjes së luftës përtej kufijve të Ukrainës.
Ndërkohë, sulmet ruse gjatë natës kanë shkaktuar viktima edhe në Ukrainë. Të paktën dy persona u vranë dhe 40 të tjerë u plagosën në qytetin e Zaporizhzhias, ndërsa sulme u raportuan edhe në rajonin e Sumyt.
SHBA vonon dërgimin e 60 raketave Patriot për Ukrainën
Në një zhvillim tjetër lidhur me mbështetjen ushtarake për Ukrainën, gazeta “Financial Times” raporton se Pentagoni po vonon dorëzimin e rreth 60 raketave interceptuese për sistemet e mbrojtjes ajrore Patriot.
Sipas raportimit, raketat janë financuar nga aleatët perëndimorë të Ukrainës, por transferimi i tyre është në pritje të miratimit nga sekretari amerikan i Mbrojtjes, Pete Hegseth, i cili duhet të autorizojë rieksportin e tyre.
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka paralajmëruar vazhdimisht për nevojën urgjente të vendit për më shumë raketa të mbrojtjes ajrore, në një kohë kur Rusia po intensifikon sulmet ndaj infrastrukturës energjetike dhe objekteve civile, në prag të dimrit.
Në një tjetër zhvillim të luftës, Zelensky ka konfirmuar se Ukraina qëndron pas sulmit me dronë detarë ndaj anijes ruse të transportit “Sparta II”, në Gjirin e Finlandës.
Presidenti ukrainas pretendoi se anija transportonte armë dhe, për këtë arsye, përbënte një objektiv legjitim ushtarak. Megjithatë, agjencia “Bloomberg” bëri të ditur se nuk kishte arritur ta verifikonte në mënyrë të pavarur pretendimin e tij.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
Burimi: Sinjali





