Një zbulim i ri shkencor po ngjall shpresë në luftën kundër një prej formave më agresive të kancerit bën të ditur BBC. Një pilulë që merret çdo ditë, e kombinuar me kimioterapinë, ka dhënë rezultate premtuese në provat e para klinike, duke frenuar rritjen e tumoreve dhe duke i zvogëluar ato ndjeshëm te pacientët me kancer të avancuar të pankreasit.

Rezultatet janë cilësuar nga ekspertët si përparimi më i madh në trajtimin e kësaj sëmundjeje në dekada. Studimi përfshiu 61 pacientë, te të cilët kanceri ishte përhapur edhe në pjesë të tjera të trupit. Në 90% të rasteve, tumoret ndaluan së rrituri, ndërsa pak më shumë se 60% e pacientëve përjetuan zvogëlimin ose zhdukjen e tyre. Veçanërisht domethënës është fakti se te rreth 8% e tyre, pra një në 12 pacientë, tumoret nuk dalloheshin më në skanimet CT.
Ilaçi i quajtur daraxonrasib u kombinua me kimioterapinë në provat klinike të fazës së parë dhe të dytë. Megjithatë, mjekët theksojnë se rezultatet janë ende paraprake dhe nuk përbëjnë një provë se sëmundja është shëruar përfundimisht.
“Përparimi më i madh në dekada”
Organizata britanike Cancer Research UK e cilësoi këtë zhvillim si “hapin më të madh përpara në dekada” për pacientët me kancer të pankreasit.
Dr. Sam Godfrey, përfaqësues i organizatës, u shpreh për BBC News se rezultatet janë jashtëzakonisht emocionuese, pasi ilaçi ka arritur të ndërhyjë në një mekanizëm që deri më tani konsiderohej shumë i vështirë për t’u trajtuar.
“Ky ilaç i ri ka gjetur një mënyrë për të trajtuar atë që deri më tani konsiderohej e pamundur të trajtohej me medikamente. Më në fund po shohim përparim në luftën kundër kancerit të pankreasit, një zhvillim që ka ardhur shumë më vonë nga sa duhej”, deklaroi ai.
Sipas mjekëve, trajtimi mund t’u japë pacientëve më shumë kohë, duke mbajtur sëmundjen nën kontroll për një periudhë më të gjatë. Studimi i ndoqi pjesëmarrësit për një mesatare prej rreth një viti e gjysmë dhe disa prej tyre nuk përjetuan rikthim të kancerit gjatë kësaj kohe.
Dr. Wungki Park, nga qendra amerikane Memorial Sloan Kettering Cancer Center, i cili është i përfshirë në studim, tha se rezultatet janë shumë inkurajuese.
“Po fillojmë të shohim jo vetëm një përqindje më të lartë të pacientëve që reagojnë ndaj trajtimit, por edhe rezultate më të thella dhe një kohëzgjatje pothuajse dyfish më të madhe të kontrollit të sëmundjes. Kjo mund të përkthehet përfundimisht në një mbijetesë më të gjatë për pacientët”, u shpreh ai.
Daraxonrasib vepron duke bllokuar disa mutacione gjenetike të njohura si RAS, të cilat gjenden në shumicën e rasteve të kancerit të pankreasit dhe nxisin rritjen e tumoreve. Ekspertët shpresojnë se kjo metodë mund të përdoret në të ardhmen edhe për forma të tjera të kancerit, përfshirë atë të mushkërive dhe vezoreve.
Megjithatë, Dr. Godfrey paralajmëroi se rezultatet duhet të ndiqen për një kohë më të gjatë përpara se të nxirren përfundime përfundimtare.
“Kanceri mund të rikthehet dhe, edhe nëse skanimet nuk tregojnë shenja të sëmundjes, kjo nuk do të thotë domosdoshmërisht se pacienti është shëruar plotësisht. Duhet të kalojë më shumë kohë për të qenë të sigurt”, theksoi ai.
Një nga format më vdekjeprurëse të kancerit
Kanceri i pankreasit është ndër format më të vështira për t’u trajtuar, pasi shpesh zbulohet në faza të avancuara. Në Shtetet e Bashkuara, ai përbën rreth 3% të të gjitha rasteve të kancerit, por shkakton afërsisht 8% të vdekjeve nga kjo sëmundje, duke marrë rreth 53 mijë jetë çdo vit. Në Mbretërinë e Bashkuar diagnostikohen rreth 11 500 raste të reja në vit, ndërsa regjistrohen afërsisht 10 200 vdekje.
Ndër simptomat që mund të shoqërojnë kancerin e pankreasit janë zverdhja e lëkurës dhe e syve, kruajtja e lëkurës, urina me ngjyrë të errët, jashtëqitja me ngjyrë më të çelët, rënia e pashpjegueshme në peshë, lodhja dhe temperatura e lartë.
Edhe pse rezultatet e pilulës së re kanë ngjallur optimizëm, studiuesit theksojnë se nevojiten prova më të gjata për të kuptuar nëse ajo mund të sigurojë remision afatgjatë dhe të rrisë ndjeshëm mbijetesën e pacientëve. Për momentin, bëhet fjalë për një zhvillim premtues, por jo për një kurë të konfirmuar.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
Burimi: Sinjali





