Në një kohë kur informacioni qarkullon më shpejt se kurrë dhe rrjetet sociale janë bërë pjesë e përditshmërisë, aftësia për të dalluar informacionin e saktë nga dezinformimi po bëhet gjithnjë e më e rëndësishme.

Për këtë arsye, Edukimi Medial dhe Informativ (EMI) shihet si një nga aftësitë thelbësore që qytetarët, veçanërisht të rinjtë, duhet ta zhvillojnë që në moshë të hershme. Të dish të përdorësh telefonin, TikTok-un, Instagram-in apo platformat e tjera nuk do të thotë domosdoshmërisht se di të vlerësosh informacionin që konsumon.
Në një intervistë për Klan Kosova FM, Dren Gërguri, profesor në Departamentin e Gazetarisë në Universitetin e Prishtinës dhe konsulent vendor i angazhuar nga Misioni i OSBE-së në Kosovë për hartimin e Dokumentit të Drejtimit Strategjik për Edukimin Medial dhe Informativ, ka folur për rëndësinë e kësaj fushe, rrezikun nga dezinformimi dhe nevojën për zhvillimin e mendimit kritik te të rinjtë.
Gjatë intervistës u diskutua për rolin që duhet të kenë shkolla dhe familja në përgatitjen e fëmijëve për t’u përballur me një mjedis gjithnjë e më të ndërlikuar informativ. Veçanërisht u theksua rëndësia që Edukimi Medial dhe Informativ të përfshihet në programe dhe lëndë shkollore, në mënyrë që nxënësit që në moshë të hershme të mësojnë të analizojnë, verifikojnë dhe vlerësojnë informacionin para se ta besojnë apo shpërndajnë.
Një pjesë e diskutimit iu kushtua edhe mënyrave praktike të identifikimit të lajmeve të rreme, titujve sensacionalë, videove manipuluese dhe përmbajtjeve që synojnë të tërheqin vëmendjen dhe të ndikojnë në perceptimin e publikut.
Misioni i OSBE-së në Kosovë aktualisht po mbështet Ministrinë e Arsimit në integrimin e Edukimit Medial dhe Informativ në Strategjinë e re të Arsimit 2035+, përmes udhëzimeve për politika të mbështetura në hulumtime dhe të dhëna.
Intervista trajton gjithashtu përgjegjësinë e mediave, institucioneve dhe komunitetit në ndërtimin e një shoqërie më të informuar dhe më kritike ndaj përmbajtjeve që konsumon çdo ditë.
Emisioni është realizuar me mbështetjen e Misionit të OSBE-së në Kosovë. Pikëpamjet e shprehura në emision nuk i pasqyrojnë domosdoshmërisht pikëpamjet e OSBE-së.
Emisionin e plotë e gjeni në linkun në vijim:





