Prokuroria Themelore në Prishtinë ka zbardhur detaje të reja nga hetimet për vrasjen e Arlinda Zekajt, e cila u vra më 25 tetor 2026 në Vitomiricë të Pejës.

Sipas aktvendimit të siguruar nga “Betimi për Drejtësi”, ish-vjehrra e viktimës, Nurije Sylaj, dyshohet se jo vetëm kishte përcjellë lëvizjet e saj para vrasjes, por edhe kishte qenë e pranishme në shtëpi në momentin kur djali i saj, Albert Sylaj, e sulmoi Arlindën me sëpatë.
Prokuroria pretendon se Nurije Sylaj nuk kishte ndërmarrë asnjë veprim për ta penguar apo ndërprerë sulmin, ndonëse ishte e pranishme dhe në dijeni për atë që po ndodhte.
Sipas aktvendimit, ajo dyshohet se që nga 22 tetori 2026, kur Arlinda Zekaj ishte kthyer për të jetuar në shtëpinë familjare, kishte fotografuar dhe incizuar vazhdimisht viktimën, duke ruajtur në telefonin e saj fotografi dhe video që pasqyronin praninë dhe lëvizjet e saj.
Në telefonin e Nurije Sylajt, sipas Prokurorisë, është gjetur edhe një video e datës 23 tetor 2026, ku Arlinda shihet duke ecur në qytet. Kjo video dyshohet se i ishte dërguar nga Driton Sylaj përmes aplikacionit WhatsApp.
Prokuroria dyshon se këto veprime ishin pjesë e një koordinimi paraprak me personat e tjerë, me qëllim të sigurimit dhe shkëmbimit të informacioneve për lëvizjet dhe vendndodhjen e viktimës, duke lehtësuar kështu planin e dyshuar për vrasjen e saj.
Përveç dyshimeve për përcjelljen e viktimës, Nurije Sylaj dyshohet edhe se pas vrasjes ka tentuar t’i devijojë hetimet.
Në deklaratën e dhënë në cilësinë e dëshmitares, ajo kishte pretenduar se Arlinda e kishte shtyrë dhe rrëzuar në tokë, ndërsa vetë kishte qenë pa ndjenja në momentin e vrasjes.
Megjithatë, sipas Prokurorisë, këto pretendime nuk përputhen me provat e deritanishme, veçanërisht me incizimet e kamerave të sigurisë, në njërën prej të cilave shihet një pjesë e zhvillimit të ngjarjes dhe prania e saj gjatë veprimeve të Albert Sylajt.
Për këto veprime, Nurije Sylaj dyshohet për veprën penale “Ndihma në kryerjen e veprës penale Vrasja e rëndë”.
Ndërkohë, hetimet janë zgjeruar edhe ndaj Driton Sylajt, i cili dyshohet se ka ndihmuar në përgatitjen dhe lehtësimin e kryerjes së vrasjes.
Sipas Prokurorisë, ai kishte përcjellë lëvizjet e Arlinda Zekajt dhe kishte siguruar informacione për vendndodhjen e saj. Më 23 tetor, ai dyshohet se e kishte incizuar viktimën duke ecur në qytet dhe videon ia kishte dërguar Nurije Sylajt përmes WhatsApp-it.
Hetimet në këtë rast janë zgjeruar edhe ndaj ish-bashkëshortit të viktimës, Jeton Sylaj, si dhe Metë Pepajt dhe Gëzim Bobit.
Arlinda Zekaj u vra mbrëmjen e 25 tetorit, menjëherë pasi kishte hyrë në shtëpinë e saj në Vitomiricë, ku ishte dërguar me patrullë policore.
Burimi: Insajderi





