Një 20-vjeçare në Ferizaj është sulmuar fizikisht nga i dashuri i saj në parkingun e një lokali, ndërsa i dyshuari është larguar para mbërritjes së Policisë. Gjatë intervistimit, e reja ka deklaruar se dhuna ndaj saj nuk kishte ndodhur për herë të parë, duke bërë që rasti të merret në trajtim nga hetuesit rajonalë, mëson Gazeta Sinjali.

Ngjarja ka ndodhur të hënën, më 9 nëntor, rreth orës 18:40, në rrugën “Ahmet Kaçiku” në Ferizaj, në parkingun pranë lokalit “Orhidea”.
Sipas informacioneve që ka siguruar Sinjali, viktima është A.B. (20), ndërsa i dyshuari është i dashuri i saj, G.J. (27).
Rreth orës 18:46, Policia ka pranuar një telefonatë se një burrë po sulmonte fizikisht një grua. Patrulla ka dalë menjëherë në vendngjarje, ku ka takuar 20-vjeçaren, e cila ka deklaruar se ishte sulmuar nga partneri i saj dhe se ai ishte larguar në drejtim të panjohur.
E reja është shoqëruar në Stacionin Policor në Ferizaj, ku i është ofruar trajtim mjekësor nga ekipi i emergjencës.
Për shkak të informacioneve se bëhej fjalë për dhunë të përsëritur, rasti është marrë në trajtim nga Sektori Rajonal i Hetimeve.
Gjatë intervistimit, në prani të Mbrojtësit të Viktimave dhe përfaqësuesit të Qendrës për Punë Sociale, 20-vjeçarja ka deklaruar se kishte bashkëjetuar me të dyshuarin për gati një vit.
Sipas saj, partneri kishte ushtruar dhunë fizike edhe më parë, por ajo ishte kthyer sërish për të jetuar me të.
Policia nuk e gjen të dyshuarin, 20-vjeçarja refuzon strehimin
Pas denoncimit, Policia ka tentuar ta lokalizojë 27-vjeçarin në adresën e siguruar nga viktima, por nuk e ka gjetur. Edhe përpjekjet për ta kontaktuar përmes dy numrave të telefonit kanë qenë të pasuksesshme.
Pavarësisht se i dyshuari ende nuk ishte lokalizuar, viktima ka deklaruar se nuk ndihej e rrezikuar dhe nuk dëshironte të kërkonte urdhër mbrojtjeje.
Ajo ka refuzuar edhe vendosjen në strehimore, ndonëse është njoftuar se i dyshuari vazhdonte të ishte i paarritshëm për Policinë.
Pas përfundimit të procedurave, 20-vjeçarja ka vendosur të qëndrojë te një shoqe e saj.
Për rastin është njoftuar Prokuroria, ndërsa i dyshuari vazhdon të kërkohet nga Policia.
/Gazeta Sinjali/
Burimi: Sinjali




